Italia humb vendin e katërt në Champions

25/02/2011 13:45

Me disfatën e të tre skuadrave italiane në Champions dhe eliminimin e Napolit nga Europa League, duke nisur nga sezoni i ardhshëm, Italia do të dërgojë në Champions League vetëm tre skuadra.

Vendi i katërt i kalon Gjermanisë, që tashmë ka kampionatin e tretë më të fortë në kontinent. Dihej prej kohësh se Bundesliga ishte në avantazh, por ndeshjet e fundit sollën edhe konfirmimin matematikor.

UEFA ka një renditje për të gjithë kampionatet e 53 vendeve Europiane dhe në bazë të këtij klasifikimi, merret parasysh paraqitja e skuadrave nga secili kampionat në pesë vitet e fundit.

Skuadrat gjermane, në këtë periudhë kohore, kanë shkuar më larg në kompeticionet europiane. Ndonëse italianet kanë patur një ecuri disi më të mirë në Champions, paraqitja në Europa League është e pakrahasueshme.

Ndërsa skuadrat gjermane kanë avancuar rregullisht midis katër më të mirëve ose deri në finale, ato italiane e kanë patur të vështirë të kalojnë edhe fazën e grupeve. Në sezonin aktual, Palermo, Juventus dhe Sampdoria nuk e kaluan dot grupin, ndërsa vetëm Napoli avancoi, me shumë vështirësi.

Në bazë të renditjes së UEFA-s, kampionatet e pozicionuar në vendet 1-3 kualifikojnë katër skuadra për në Champions. Kampionatet 4-6 kualifikojnë tre skuadra dhe ato nga vendi 7-15 nga dy ekipe. Shqipëria ka aktualisht kampionatin e 43-të më të fortë të Europës.

Renditja UEFA për kampionatet (shifra tregon pikët e mbledhura në 5 vjet)
1. Premier League (Angli)        82.9
2. Primera Division (Spanjë)        77,3
3. Bundesliga (Gjermani)        68,1
4. Seria A (Itali)            59,9
5. Division 1 (Francë)            53,5
6. Liga Sagres (Portugali)        44,5
44. Superliga Shqiptare          3,8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA