Peshengritja, Qerimaj renditet i 6-i në Botëror

24/09/2010 01:45

Erkand Qerimaj ka siguruar një vend të gjashtë në botërorin e peshëngritjes që po zhvillohet në Antalia të Turqisë dhe ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm për Lojërat Olimpike Londër 2012.

Peshëngritësi shqiptar që garon në peshën 77 kg, përtej synimeve të tija ka mundur të qëndrojë mes më të mirëve të botës, në përfaqësimin e parë në baterinë A në një kampionat botëror.

Në të vërtetë nuk ka nisur mirë garimi për Erkand Qerimajn në stilin e shkëputjes, ku në provën e parë me 150 kg shtangisti kuqezi ka dështuar. Dy provat e tjera ishin të sakta, duke e mbyllur këtë stil me 155 kg dhe përfundoi në vendin e 9-të.

Në stilin e shtytjes gara e shkodranit ishte pothuaj perfekte, falë edhe strategjisë shumë të saktë të zgjedhur nga trajneri Kovaçi. Qerimaj në provën e parë në shtytje ngriti me lehtësi 185 kg, duke treguar siguri për të kërkuar një vend të mirë. Prova e dytë me 191 kg e katapultoi në vendin e 4-të, i cili u konfimuar edhe pas provës së fundit me 196 kg.

Në dygarësh Erkand Qerimaj arriti në 351 kg, duke zënë vendin e 6-të.

Kampion i botës në peshën deri në 77 kg, u shpall armeni Tigran Martirosian me 373 kg, kinezi Lu Xiaojun u rendit i dyti, ndërsa egjiptiani Tarek Jehia plotësoi podiumin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA