Largimi i Edi Martinit ka bërë që në mënyrë të paevitueshme të hapet “ankandi” për drejtuesin e ardhshëm të stolit të Vllaznisë.
Kandidaturat janë të shumta: duke filluar nga Agim Canaj, që vetëm pak kohë më parë dukej alternativa kryesore, për të vazhduar me Esad Karishik, Ilir Dajën, apo të vetofruarin Medin Zhega. Madje, presidenti i skuadrës shkodrane, Valter Fushaj, ka shqyrtuar edhe pista malazeze apo edhe kroate.
Megjithatë, zërat më të fundit pranë kampit kuqeblu thonë se në “pole” për emërimin si drejtues i stolit për sezonin e ardhshëm është Mirel Josa. Trajneri, që më 1 qershor feston 44-vjetorin e lindjes, është pista më e preferuar në “Loro Boriçi”.
Eksperienca e jashtëzakonshme, fillimisht si futbollist (ku ka luajtur edhe 27 ndeshje me Kombëtaren shqiptare) e më pas si teknik i Tiranës, Vllaznisë, Elbasanit, Teutës e Skënderbeut, bëjnë që Josa t’i plotësojë të gjitha kushtet për t’i kthyer kuqeblutë si protagonistë në Kategorinë Superiore. Gjithsesi, më parë, ai duhet të zgjidhë marrëveshjen me Skënderbeun, skuadër të cilës i siguroi mbijetesën në elitë gjatë sezonit që sapo përfundoi. Sipas të gjitha gjasave, nëse nuk do të vazhdojë më punën në Korçë, Mirel Josa do të marrë drejtimin e Vllaznisë për edicionin e ardhshëm.
Top Channel