Roma fiton derbin, rimerr kreun

18/04/2010 21:20

Roma fitoi derbin kryeqytetas ndaj Lacios me rezultatin 2-1 duke i rimarrë skuadrës së Interit kryesimin e Serisë A, kur kanë mbetur edhe katër javë nga përfundimi i kampionatit.

Në një ndeshje plot rivalitet dhe emocione, ku nuk munguan as tensionet ishin verdhekuqtë ata që dolën triumfues, megjithëse u ndodhen në disavantazh që në minutën e 15 të takimit pas golit të shënuar prej Tomazo Rokit për bardhekaltërit. Pjesa e parë edhe pse me raste për të dyja skuadrat mbyllet 1-0 për Lacion.

Dy minuta nga nisja e fraksionit të dytë të ndeshjes, një ndërhyrje e gabuar e mbrojtjes romaniste shkakton penallti në favor të Lacios. Shansi për të dyfishuar rezultatin iu la Serxho Flokarit i cili përballë portierit Hulio Serxhio e shpërdoron atë.

Vetëm 5 minuta nga 11 metërshi i humbur i lacialeve, gjyqtari Paolo Taliavento akordon një tjetër, por këtë herë në favor të skuadrës së Ranierit. Malazezi Vuçiniç merr përsipër ekzekutimin e saj dhe nuk gabon, Roma barazpeshon në 1-1 rezultatin në “Olimpiko”. Në minutën e 64 të takimit, është sërish Vuçiniç ai që i sjell avantazhin e një goli Romës, avantazhi ky që përkthehet në 71 pikë, një më shumë se Interi i Mourinjos.

Rezultati nuk ndryshoi në minutat në vazhdim, ndërsa fundi i ndeshjes rezervoi tensione mes lojtarëve në fushë që u shoqëruan edhe me daljen me karton të kuq të lojtarit të Lacios, Ledesma.

Në ndeshjet e tjera të Serisë A, Atalanta mundi 2-1 Fiorentinën, Napoli fitoi 1-2 në transfertë ndaj Barit, Kaljari barazoi 2-2 me Palermon, po 2-2 barazuan edhe Katania me Sienën, Xhenoa mposhti 3-2 Parmën në fushën e kësaj të fundit dhe Udineze barazoi 1-1 me Bolonjën.

Top Channel