Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar menjëherë pas deklaratave nga selia e PD që mbante qëndrim të kundër me qeverinë për të ndaluar pagesën e qirasë nga qiramarrësit e bizneseve të vogla.

Sipas Ramës PD-ja është lëshuar siç di vetë kur prek majën e dëshpërimit. Në deklaratën e PD thuhej se “Nisma e tij për të ndaluar pagesën e qirasë nga qiramarrësit e bizneseve të mbyllura është një vepër e turpshme që mëton të ndajë shqiptarët.” Ndërkohë Rama njofton se Akti Normativ po bëhet gati.

Reagimi i Ramës:

Ndërkohë që kam publikuar parimin e nismës së Aktit Normativ mbi pagesat e qerave të të dëmtuarve rëndë nga lufta që kanë humbur momentalisht aftësinë paguese dhe janë nën lloj-lloj presionesh, deri edhe të rënda nga qeradhënës të caktuar, shoh që ende pa dalë akti PD-ja është lëshuar siç di vetë kur prek majën e dëshpërimit!

Sa gjynah që janë, nuk e gjej dot pse Zoti nuk ua ushqen fare vajin e kandilit të trurit as në këtë kohë të errët, po nuk kemi ç’bëjmë!

Akti Normativ po bëhet gati, e meqë sonte kisha konfirmuar praninë në studion e PINIONIT, do të kem mundësinë t’ju shpjegoj edhe qeramarrësve më hallexhinj, edhe qeradhënësve në hallin e tyre, edhe të gjithë të tjerëve me hallet përkatëse të kohës që jetojmë, se sa i drejtë është ky Akt Normativ, me ligj e me zakon, e se sa e fajshme është në mes të luftës kjo kundërvënie e verbër e një çete vulëhumburish (pa din, pa iman e pa asnjë hall tjetër veç ëndrrës së tyre në beze), ndaj njerëzve më në hall të kësaj lufte!

Top Channel