Top Story/ Shfaqja “Don Zhuani” në Teatër, njëherë u pezullua nga lufta e 1997 dhe sot sërish nga Coronavirusi

18/03/2020 00:34

Në Tiranë e kudo tjetër ka ndaluar edhe jeta artistike. Kinematë janë mbyllur, po ashtu sallat e teatrit. Ne intervistuam Artan Imamin, njërin nga regjisorët që sapo kishte filluar premierën e shfaqjes së tij “Don Zhuani”.

“Njerëzit ishin të ndërgjegjësuar sepse në premierë nuk ishte mbushur salla. Dmth që salla të mos mbushej plot në premierë, nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Ne e dhamë në datë 6,7 dhe 8. Pra njerzit rrinë në shtëpi, nuk dalin. Ishte e pamend që të grumbullonim njerëzit, ishte dite e hënë. Bëra lajmërimin për ata që kishin prerë biletat që ti mbanin për një kohë më të mirë ose ti kthenin dhe të merrnin lekët mbrapsht”, tregon Artan Imami, regjisor.

Imami mund të konsiderohet regjisori më pafat që ka vënë në skenë Don Zhuanin e Molierit. Të njëjtën shfaqje ai e ka vënë në skenë shumë vite më parë, por edhe atëherë iu ndërpre.

“Zhuani i Molierit që unë e kam vënë në skenë në vitin 1996 dhe pasi u dha nja 26 shfaqje u ndërpre nga ngjarjet e rënda të 97-ës. Kësaj radhe me shpresën që do vazhdoi më gjatë, por kur të mbaroj kjo histori e dhimbshme tashmë, shpresojmë që normaliteti të mbizotrojë dhe njerëzit do të vijnë në teatër”, tregon Artan Imami, regjisor.

Kësaj radhe Don Zhuani i Artan Imamit u ndërpre nga coronavirusi. Në sallën e Teatrit Kombëtar është anulluar edhe shfaqja e regjisorit Kiço Londo, “Kopshti i Dallëndysheve”. Ne e telefonuam zotin Londo për një intervistë, por ai nuk pranoi të dilte nga shtëpia për shkak të izolimit nga Covid-19.

Top Channel