Mëngjesin e së martës në portin e Durrësit kanë mbërritur tragetet e fundit nga Italia.
630 udhëtarë zbritën nga tragetet e linjës së Barit. Një pjesë e mirë e 630 udhëtarëve që zbarkuan në port nga dy tragetet e Barit pranojnë se vijnë nga Veriu i Italisë.
“Vij nga Italia. Shkova 10 ditë për qejf dhe u ktheva. Jam më mirë këtu në Durrës. U mbyllën shkollat atje dhe nipat në shtëpi.
Isha në Itali për 3 muaj. E mbarova kohën e qëndrimit dhe u ktheva. Duhet të mbrohemi dhe këtu.
Ja do të pijmë nga një gotë raki. – ia pret një tjetër udhëtar.
Vij nga Franca, atje situata është më mirë se në Itali. Nuk na lejuan të kalojmë në autostradë. U ktheva se kam punët e mia. Do të kthehem prapë. Nuk kam frikë nga koronavirusi. Kur ta ketë shkruar i madhi Zot. Do të ruhemi kur të kemi mundësi. Temperaturën na e matën.
Vij nga Parma. Ekzagjerime të papara. Mos dil andej. Mos shko andej. Ka kufizime lëvizjesh po nuk do ta dijë njeri. Janë nxituar me këto. Janë pleq ata që vdesin. Është panik kot.
Vij nga zona e kuqe (Torino). U nisa me një autobuz të Fierit, para bllokimit të lëvizjeve nga Veriu i Italisë. Mikrobi hyn. Nuk e shmang dot. E ka thënë Sokrati: Injoranca vret. Nuk kemi mjekë”, shprehen qytetarët.
Asnjë nga ata që mbërrijnë në vend nga Italia përmes Durrësit nuk ka informacion mbi periudhën e vetëizolimit.
“Javën tjetër duhet të shkoj prapë në Itali. Unë do të kërkoj të vetë”.
Agjencitë Detare u njoftuan këtë të martë se për Linjat Durrës-Bari-Durrës, Vlorë-Brindisi-Vlorë, Durrës-Ankona-Trieste-Durrës të ndalojnë prenotimin e biletave nga portet Italiane në drejtim të porteve Shqiptare. Kamionët do vijojnë të shkojnë e të vijnë, por jo udhëtarët.
Top Channel