Rreth 500 mijë raste të reja në vit diagnostikohen me kancerin e qafës së mitrës në botë dhe rreth 90% të vdekjeve që shkaktohen si pasojë e kësaj sëmundje, ndodhin kryesisht në shtetet me të ardhura të ulëta.

Edhe në Kosovë numri i grave të prekura nga kanceri i qafës së mitrës është i lartë. Në kuadër të javës evropiane të kancerit të qafës së mitrës, u mbajt në Kosovë një tryezë diskutimi ku u prezantuan edhe shifrat.

“Edhe në Kosovë numri i grave të prekura nga kanceri i qafës së mitrës nuk është i ulët është një ndër sëmundjet më të zakonshme sa i përket kancerit të qafës së mitrës”.

Sipas Vlorian Molliqa, dy gjëra që parandalojnë sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës janë PAP testi dhe vaksina kundër HPV. Ndërsa Udhëheqësja e Divizionit për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës, Merita Vuthaj, tha se sipas të dhënave që posedon vetëm në vitin 2018 nga kanceri i qafës së mitrës 311 mijë gra kanë vdekur në mbarë botën.

“Sipas të dhënave globale rreth 570 mijë gra janë diagnostikuar me kancer të qafës së mitrës në mbarë botën, prej tyre 311 mijë e kam fjalën për vitin 2018 kanë vdekur nga kjo sëmundje, mirëpo nëse promovohet dhe zbatohet një program i mirë i Skriningut me siguri që pasojat do të jenë më të vogla dhe shpëtimi i jetës është evident”.

Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës është një fushatë sensibilizuese evropiane, e cila ka si qëllim të rrisë informimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit të qafës së mitrës te femrat.

Top Channel