Top Talk: “hemorragjia” e bluzave të bardha, Manastirliu flet për masa ndëshkimore për ata që braktisin detyrën

27/01/2020 21:36

Largimi i mjekëve dhe infermierëve është një fenomen shqetësues në vendin tonë. Kryesisht vendet pritës të tyre janë vendet e europës me Gjermaninë në krye të listës. Kjo problematikë u rikthye në vëmendje ditën e sotme nga gazetari Denis Dyrnjaja në studion e “Top Talk”.

E ftuara e emisionit ishte ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu, e cila u pyet drejtpërsëdrejti për këtë çështje nga gazetari Dyrnjaja. Ministrja u përgjigj se ky fenomen është prezent edhe në vende të tjera të europës dhe jo vetëm në vendin tonë. Qeveria thotë ajo ka bërë të sajën për të plotësuar kushtet teknologjike, financiare dhe infrastrukturore që mjekët dhe infermierët të mos largohen nga vendi.

Manastriliu u shpreh se deri më tani 135 mjekë të rinj janë atashuar pranë zonave të tyre për t’i shërbyer komunitetit që ata jetojnë. Ndërsa për ata mjekë apo infermierë të cilët i shikojnë spitalet e vendit tonë si struktura për të marrë një eksperiencë dhe më pas të largohen, ministrja deklaroi se për këta individë do të ketë penalitete.

“Unë besoj që çdo ministër në çdo vend qoftë i rajonit, qoftë europian është i shqetësuar në qoftë se ikën qoftë se edhe një mjek. Pse? Sepse është investimi që shteti bën për profesionistët dhe në këtë rast është për mjekët dhe infermierët. Mjekët dhe infermierët nuk ikin vetëm në Shqipëri. Ky është një fenomen që ndodh edhe në Itali, Rumani, Kroaci, ndodh në të gjitha vendet. Shkojnë për një mundësi më shumë, shkojnë se ka sot mundësi ku mjekët të testojnë veten e tyre. Kjo është një gjë e mirë nuk është një gjë e keqe. Ajo çfarë ne jemi duke bërë për të mbajtur mjekët dhe për të mbajtur këtë potencial është përmirësimi i kushteve të punës, infrastrukturë, teknologji dhe sigurisht mbështetje nëpërmjet iniciativave financiar. Vetëm në 2019 janë 135 mjekë specialistë të cilët përfunduan specializimin dhe u atashuan pranë spitaleve rajonale, për të shërbim afër vendbanimit për qytetarët. Këtë vit janë 70 mjekë të cilët po atashohen në spitalet rajonale, sepse janë mjekë të ri specialistë dhe ndërkohë që portali mjek për Shqipërinë është duke punësuar edhe 89 mjekë të përgjithshëm për strukturat tona të kujdesit parësor. Pra ne po ndërtojmë një instrument që është instrumenti i mbështetjes së vazhdueshme të mjekëve. Ndërtuam instrumentin e portalit që siguron transparencë, meritokraci. Se në fund për çfarë ikin? Ikin sepse duan kushte më të mira punë, ikin sepse duan mbështetje më të lartë. Vendi ka nevojë për potencialin dhe kontributin e atyre që ai përgatit. Ndaj në të gjitha kontratat që kemi vendosur me mjekët specialist, kemi vendosur disa masa me kontratat e lidhura me mjekët që janë kuota për të mbuluar shërbimin në spitalet e ndryshme rajonale në vend. kemi vendosur një masë shtrënguese ndaj mjekëve, këtu po them ë janë të rrallë mjekët që nuk e kanë plotësuar. 135 në 2019 dhe 70 mjekë, janë të gjithë mjekë që sot janë duke shkuar në spitale, janë duke sakrifikuar dhe unë i falenderoj me të vërtetë. Por janë duke zbatuar kontratat e tyre për të ofruar kujdes shëndetësor për qytetarët afër vendbanimit”, përfundoi fjalën e saj ministrja.

Top Channel