OBSH do të zhvillojë takim urgjent lidhur me virusin e ri në Kinë

22/01/2020 12:15

Sipas Gao Fu, drejtorit të CCDCP-së, koronavirusi i ri u transmetua përmes kafshëve të egra të shitura në mënyrë të paligjshme në një treg të ushqimeve të detit në Wuhan

Përderisa shpërthimi i virusit të ri në Kinë është konfirmuar në katër vende të tjera, numri i vdekjeve nga virusi ngjitës është rritur në 9 në vendin e tij të origjinës, në qytetin kinez Wuhan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mediat lokale raportojnë se zyrtarët shëndetësorë në Kinë thanë se 9 vdekje janë regjistruar në qytetin Wuhan, ku muajin e kaluar u regjistrua vdekja e parë nga virusi. Zyrtarët theksuan se brenda vendit janë konfirmuar 440 persona të infektuar nga koronavirusi.

Me ngritjen e alarmit për koronavirusin në të gjithë globin, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sot gjatë ditës do të zhvillojë një takim urgjent në Gjenevë.

Zyrtarët kinezë të shëndetësisë tashmë konfirmuan transmetimin nga personi në person të këtij virusi fatal.

Ndërkohë, një zbulim i ri i hetuesve kinezë zbuloi se virusi u transmetua tek njerëzit përmes “kafshëve të egra”.

Sipas Gao Fu, drejtorit të Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CCDCP), koronavirusi i ri u transmetua përmes kafshëve të egra të shitura në mënyrë të paligjshme në një treg të ushqimeve të detit në Wuhan, në kryeqytetin e provincës qendrore Hubei.

Gao paralajmëroi se ky lloj i ri i virusit “po përshtatet dhe përjeton ndryshime”.

Një studim i realizuar nga Qendra për Bashkëpunim e OBSH-së në Universitetin e Hong Kongut, e cila merret me epidemiologjinë dhe kontrollin e sëmundjeve infektive, sugjeroi se virusi përhapet shpejt në territorin e Kinës dhe mund të jetë më keq sesa paraqitet në publik.

Studimi vlerësoi se pothuajse 1.350 persona janë infektuar nga virusi në periudhën midis 1 dhe 20 janarit në Wuhan.

Japonia, Koreja e Jugut, Tajlanda dhe tani edhe SHBA-të konfirmuan se zbuluan raste të prekura nga i njëjti virus.

Koronaviruset janë një familje e madhe e viruseve që variojnë nga ftohja e zakonshme. Disa shkaktojnë sëmundje më pak të rënda, por disa mjaft të rënda. Disa transmetohen me lehtësi nga një person në tjetrin, ndërsa disa jo.
Përhapja e sëmundjes së re në Kinë përkoi me festimet e Vitit të Ri në vend, kur miliona njerëz pritet të udhëtojnë në vendlindjet e tyre për të festuar festat që tashmë kanë filluar.

Udhëtimi masiv i njerëzve ka ngritur alarmin se sëmundja mund të përhapet më tej.

Kreu i qytetit Wuhan, Zhou Xianwang, u bëri thirrje njerëzve të mos udhëtojnë për në apo nga qyteti, me qëllim të luftimit të shpërthimit të vazhdueshëm të pneumonisë.

Top Channel