Masakra e Reçakut/ Meta: Nuk duhet harruar, si domosdoshmëri për të mos lejuar përsëritjen e saj në të ardhmen

15/01/2020 17:36

Njëzetenjë vjet më parë, më 15 janar të vitit 1999, pak banorë që nuk ishin larguar nga fshati Reçak i Komunë së Shtimes u zgjuan herët në mëngjes nga krismat e armëve që ishin bërë të zakonshme në atë periudhë të luftës.

Atë ditë në këtë fshat, që është rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit, presidenti Meta shkruan se “Masakra e Reçakut, nuk duhet harruar, si domosdoshmëri për të mos lejuar përsëritjen e saj në të ardhmen.”

  Masakra që ndryshoi historinë/ 21 vite më parë në Reçak u masakruan 45 viktima

Postimi i Metës

Në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, me dhimbje të madhe, respekt e mirënjohje të thellë nderuam sot kujtimin e 45 civilëve të pafajshëm që humbën jetën në Masakrën e Reçakut, si dhe të gjitha viktimat e martirët e krimeve monstruoze të forcave serbe në Kosovë, simboli i një sakrifice tejet sublime të rrugëtimit të këtij shteti drejt lirisë dhe pavarësisë.

Masakra e Reçakut, nuk duhet harruar, si domosdoshmëri për të mos lejuar përsëritjen e saj në të ardhmen.

Dhe ne do t’i kujtojmë gjithmonë, jo vetëm jetët e humbura dhe sakrificat e tyre, por edhe gjithë këto të vërteta të patundura mbi të cilat ndërtohet një bashkëjetesë në paqe, e fortë dhe e qëndrueshme, në rajonin tonë.
Rroftë e ardhmja europiane e Kosovës që qëndron e patundur mbi këto sakrifica! ??????

Top Channel