Mbarimi i mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste u shoqërua me një dalje për mediat nga ana e kryeministrit të vendit, Edi Ramës.

Gjatë fjalës së tij, gazetarët e pyetën sa i takon zgjedhjeve në Shkodër, ku Rama iu referua kryebashkiakes në detyrë, Voltana Ademit si një kryetare që s’është kryetare.

“Përsa i përket Shkodrës nuk ka një vendim dhe për fat të keq është në situatën më të rëndë se ka një kryetare që s’është kryetare dhe ka një vakum në këtë aspekt por kjo është një çështje që s’është në dorën tonë por presim të marrim një zgjidhje”, u shpreh kryeministri.

Më tej i mëshoi sërish thirrjes për dialog, ku u shpreh se PD dëmtoi veten kur vendosi që të djegë mandatet, duke u larguar nga parlamenti.

“Do ishte mirë që PD të ishte në parlament. Por ka marrë vendimin e vet të ikë. Është vendim që tregon se ka dëmtuar rëndë vet PD-së dhe padyshim se ka bërë më të mirë jetën politike të vendit. Por nuk është se e ka cënuar në pikën e mosfunksionimit. Mund të funksionin gjërat më mirë, por gjithmonë nuk ka diskutim që ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë. Të dëgjojmë, të mbajmë shënim. Të reflektojmë kur shohim që ka ide. Ne jemi të votuar dhe të dënuar që të udhëheqim. Nuk jemi këtu që të presim që dikush të zgjohet nga gjumi dhe të shtriqet. Të gjitha idetë respektive të çdo force politike janë legjitime. Por duhet të implementohen rekomandimet e OSBE/OHDIR.”

Top Channel