Drejtësia, 6 vite kërkime për të gjetur një zetor. Pas denoncimit nga Fiks Fare, e gjejnë për 1 javë!

13/12/2019 20:38

Pak javë më parë, Fiks Fare denoncoi veprimet e prokurorisë së Fierit, e cila për 6 vjet nuk arrinte të gjente një zetor, për bërjen e një eksperimenti pas një aksidenti.

71-vjeçarja Prenda Naka tha se do e çonte amanetin e burrit deri në fund dhe do të zbardhte këtë aksident. Ajo qëndroi për rreth vjet në dyert e policisë, prokurorisë dhe gjykatës, pasi pretendon se vendi i ngjarjes ku humbi jetën burri i saj u manipulua. Por, megjithëse me vendime gjykate në favor, prokuroria e Fierit e zvarriti çështjen, pasi “nuk gjente dot zetorin”.

Drejtuesja e Prokurorisë së Fierit, në një takim me denoncuesen, thotë se ka dhënë urdhër për eksperimentin hetimor, por nuk po gjejnë dot mjetin. Ajo i thotë se do bëhej shumë shpejt, madje për disa ditë. Por kaluan javë dhe ky eksperiment hetimor nuk u bë. Në datën 14 nëntor, Fiks Fare denoncoi këtë skandal, ndërsa menjëherë kjo prokurori u vu në lëvizje. Në një kohë rekord, prokuroria e gjeti mjetin bujqësor dhe urdhëroi bërjen e këtij eksperimenti.

Në datën 27 nëntor, në fshatin Sheq Marinëz të Fierit, shkoi vetë prokurori Andi Pogaçe, sëbashku me ekspertët, me avokatin e 71-vjeçares. Disa makina policia rrethuan vendin e ngjarjes, krijuan një perimetër sigurie, ndërsa thanë se “nuk lejohen kamerat, pasi është sekret hetimor”. Ata vendosin një manekinë në vendin ku gjetën viktimën, ndërsa në anën tjetër të rrugës vendosën edhe zetorin. Realizuan matjet, ndërsa pyetën edhe autorin e dyshuar si dhe dëshmitarët.

Zonja Prenda thotë se më në fund po bëhet ky eksperiment hetimor. “Zetorin e gjetën te ai që bëri aksidentin. Kanë ndryshuar vetëm llamarinat. Ka ardhur dhe ai prokurori që jam përballur për 6 vite në dyert e gjykatës, janë afër 10 vetë” thotë ajo, ndërsa shton se “falënderoj shumë, shumë Fiksin, se këta zotërinjtë që kishin dosjen, e kishin lënë diku aty dhe kjo dosje është përgatitur pas 2 vitesh që këmbëngula”. Në fund pohon se “Zoti bëftë mrekulli bashkë megjithë juve, se nga këta unë s’kam shpresuar gjë”.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes ishin edhe familjarët e autorit të dyshuar. Floran Trifoni, vëllai i të dyshuarit, thotë se zetorin e kishin në shtëpi. “Vëllai nuk ishte me këtë zetor që është këtu. Zetori është blerë para 2 vitesh e gjysëm, është në pronësinë time. Më thanë gjej një zetor të ngjashëm. Ai si zetor është shitur pas 2 vitesh” thotë Florani, ndërsa gazetarët e pyetën se kur është gjetur ky zetor që po bëhet eksperimenti hetimor. Ai thotë se “e kanë marrë para disa ditësh vëllanë, pas transmetimit të kronikës nga Fiks Fare”.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel