Disa ditë pas tërmetit kryeministri Rama postoi një video në facebook ku tregonte një pallat me mure të shkatërruara në Durrës. Ai shkruante se nga këto gërmadha ishte tromaksur edhe vetë ai. Por ja që grupi i vlerësimit më ekspertë Francezë e kishte nxjerrë këtë pallat të pa cënuar në strukturë. Muret do të riparohen dhe njerëzit do kthehen në shtëpitë e veta.

Ne shkuam në këtë pallat me një arkitekt privat, zotin Pëllumb Dervishi. Edhe ai konstatoi të njëjtën gjë. Kullonat nuk janë prekur dhe pallati nuk ka rrezik shembje. Por zoti Dervishi shpjegoi edhe arsyen përse dëmi tek muret ndarëse ka qenë kaq i madh.

“Hapi i kullonave të përdorura nga konstruktori, për efekt mobilimi  më të kollajtë të apartamenteve është shumë i madh për banesë vertikale të madhe. Nuk është 4 metër por është 5, 6, 7 në hapa të ndryshëm. Nuk është përdorur i njëjti ritëm simetrik ndërkohë ato japin lëkundjet e soletave. Këto japin shkëputjen e mureve nga soletat për shkak të lëkundjeve të tërmetit. Pra mënyra e projektimit ka qenë jo e rrezikshme, por e guximshme”, tregon   Pëllumb Dervishi, arkitekt.

Pra, firma ka marrë përsipër një rrisk të madh. Ajo i ka vendosur kullonat e këtij pallati më larg njëra-tjetrës. Sa më larg të jenë kullonat aq më shumë lëkundet sol eta prej betoni. Lëkundjet e forta i bëjnë muret të shpërthejnë në ajër sikurse ka ndodhur në këtë rast.

Arkitekti Dervishi e quan guxim të firmës së ndërtimit. Por ky guxim ishte një rrezik real për banorët. Rreth kompleksit JEDA ndodhen shumë pallate të vjetra me mure tulle, pa kullona. Ato janë 5 kate. Asnjëra prej tyre nuk ka qoftë edhe një plasaritje të vetme.

Kjo godinë masive është ndërtuar nga firma JEDAS. Ajo ka dy ortakë Selim Doma dhe Bujar Doda. Një kompani e themeluar ne vitin 2006. Nëse shkohim grafikun e të ardhurave të saj vihet re që ka pasur një rritje jo të zakonshme në vitin 2016. Menjëherë më pas ajo ka dyfishuar kapitalin pranë qendrës së biznesit. Kjo tregon se në vitin 2016 kjo firmë ka pasur një bum aktiviteti, në fushën e ndërtimit. Në këtë vit është ndërtuar dhe shitur ky kompleks që sot është gjysëm i rrënuar. Por me sa duket cilësia e këtyre godinave nuk ishte në nivelin e duhur.

Top Channel