Tërmeti ka lënë gjurme veçanërisht tek fëmijët. E tani në kampet e pas tërmetit dëgjohen shumë histori dhe shikon shumë piktura që përshkruajnë atë që la pas katastrofa natyrore.

Kjo është pjesë nga audio-përralla “Tërmeti dhe pema” e treguar nga Arbri 7 vjeç, e shpërndarë nëpër celularët tanë nga vetë prindërit.
Në kopshtin që drejton pediatrja e njohur Lira Gjika, ndihet atmosfera e festave të fundvitit. Fëmijët kanë nisur me zbukurimet.

“Fëmijët kanë treguar një gjë kur i pyetëm, na thanë se nuk merrnin dot frymë. Ne të tërë ishim ashtu atë natë. Por po të mos marrësh frymë të ndërpritet mendimi. Vërtet shkollat nuk janë të sigurta mbase, por duhet të ishin hapur qendra për fëmijë, ku atje të luhej, të flitej me specialistët. Është Ministria e Arsimit që duhet të merret me këtë kontigjent”, tha Lira Gjika.
Pediatrja thotë se tërmete ka patur dhe do të ketë.

“Tragjedia ishte e madhe për ne sepse jemi një komb i vogël, por ka vende që kanë humbur 1 milionë njerëz në një tërmet. Ata janë marrë menjëherë më të vegjlit e të rriturit. Profesionistët bëjnë përgatitje nëpër kopshte e shkolla. Është përvoja e Meksikës dhe Haitit. Duke i përsëritur ushtrimet krijohen mekanizma mbrojtës, që kur të ndodhë, ti të dish çfarë hapash të ndërmarrësh. Kur kanë rënë tërmetet e dyta nuk ka patur më humbje jetësh”, tha ajo.

“Fëmijët në kopshtin që drejtoj kanë qenë të grindur, që do të thotë janë të pasigurt. Ne po përpiqemi të flasim, të vizatojmë, ta pikturojmë tërmetin dhe ta bëjmë shuk letrën, siç na bëri ne tërmeti. Kur u përmbyt diga në Tiranë, unë i çova fëmijët të preknin baltën. Kjo ul stresin e frikën”, shprehet pediatrja.

Ka prindër që tregojnë se fëmijët kanë frikë të hyjnë në shtëpi, apo nuk i lënë prindërit të shkojnë në punë nga frika.
“Prindërit nuk kanë pse të tregojnë frikën e fëmijës, por të tregojnë se si të bashkuar ja dolën ta mposhtin frikën, ishin më kurajozë. Kërcimi është shumë i mirë, ushtrime gjimnastikore, lojëra, përqafime, frymëmarrje me hundë”, u shpreh ajo.
Ka prindër që thonë ta lëmë në harresë gjithçka ndodhi.

“Jo në asnjë mënyrë, harresa është armiku i mendjes, është sëmundje. Përkundrazi të flasim, por në mënyrë pozitive atë çfarë na ndodhi”, tha ajo.

Top Channel