“Nuk punoj për historinë”, Basha: Rinia shqiptare të ketë shanse të barabarta me rininë evropiane

08/11/2019 18:16

Gjatë bashkëbisedimit të tij me të rinjtë në Krujë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se shpërblimi më i madh për të nuk është të mbetet në histori, por t’i shohë shqiptarët, veçanërisht rininë, të kenë të njëjtat shanse dhe mundësi si rinia evropiane,

“Njerëzit që punojnë për të hyrë në histori, në përgjithësi, janë njerëz të tmerrshëm, o diktatorë, o psikopatë, u shkaktojnë shumë vuajtje popujve të vet, ose janë kaq shumë në dashuri me veten, sa nuk duan njeri tjetër. Prandaj, mos më kërko të jem kryeministër që bëj gjithçka për të mbetur në histori. Rama, ndryshe nga sa thua ti, mendoj se do të hyjë në histori për shumë të këqija që i ka bërë vendit. Neroni ka ngelur në histori se dogji Romën, ky është Neroni i Shqipërisë, vetëm se nuk ia ka vënë flakën në kuptimin fizik dhe nuk do ta lëmë, por ka djegur shumë. Meqë përmende BE, Makron në një intervistë që i dha “The Economist”, Makron tha ekzaktësisht atë që u thashë unë shqiptarëve para 4 javëve. Ai duhet t’i thotë faleminderit Makronit se na shpëtoi nderin. Macron tha se nuk do ta ndajmë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut, sepse gjysma e vendeve ishin për ta ndarë Shqipërinë. Pse? Është rinia e Maqedonisë së Veriut më e zonja se rinia jonë?! Ishte ndëshkim për Edi Ramën, që na ndëshkon ne. Ishte dështim i tij që na ndëshkon ne”, u shpreh ai.

Më tej shtoi:

“Shpërblimi më i madh për mua nuk është të mbetem në histori, por t’i shoh shqiptarët, veçanërisht rininë, të kenë të njëjtat shanse dhe mundësi si rinia evropiane, kam jetuar në Evropë, kam qenë student dhe një nga gjërat që më ka motivuar tek çështje publike, politika pra, ishte se jo vetëm nuk kishim asnjë inferioritet prej hollandezëve, por në shumë fusha ne garonim dhe dilnim të parët. Shqiptarit, po i dhe mundësi, nuk ka kufi në suksesin e vet.”

Top Channel