Vitrina e Librit/ ‘Përtej’-Një histori rrënqethëse krimi

28/10/2019 10:16

Kishim lexuar për elegancën e grave japoneze, sjelljen e tyre të brishtë dhe delikate në shumë romane dhe novela artistike.

Përmendim atë më të njohurën që dhe mund të ketë grumbulluar një rekord leximesh në mbarë botën, sic është “Kujtimet e një geishe”, por as do ta conim në mend që pikërisht prej shijes së tyre të hollë për jetën dhe të bukurën, të dilnin 4 gra të egra dhe të dhunshme përtej cdo imagjinate, si gratë që përshkruhen në këtë roman të ri.

‘Përtej’, një roman që rrëfen një histori rrënqethëse në periferi të Tokios. Shkrimtarja Natsuo Kirino, e quajtur ndryshe si mbretëresha e romanit të krimit japonez e ka përshkruar ngjarjen më shumë talent e cilësi. Për të dhe brendinë e këtij romani sot në Vitrinën e Librit kemi të ftuar, Anisa Trifonin që është dhe përkthyesja e tij.

Trifoni shpjegon se autorja e librit zotëron me mjeshtëri humorin e zi në këtë narratim gozhdues por edhe kompleks, e cila kombinohet me një vështrim bindës brenda një portretizimi të shkëlqyer të psikologjisë së krimit të dhunshëm. Katër gra punojnë në turnin e natës në një fabrikë ku përgatiten dhe paketohen ushqime të gatshme, shpjegon ajo më tej.

 

Të ngarkuara deri në fyt me punë dhe me borxhe, të izoluara nga bashkëshortët dhe fëmijët, të gjitha ëndërrojnë të gjejnë një zgjidhje në jetën e tyre pa rrugëdalje. Një nënë e re, në kulmin e dëshpërimit, vret bashkëshortin e saj imoral dhe kumarxhi dhe i rrëfen krimin njërës prej kolegeve të saj, Masako Katorit. Masako e ndihmon shoqen e saj duke kërkuar ndihmën e shoqeve të tjera që të copëtojnë trupin dhe të zhdukin provat pa lënë asnjë gjurmë të viktimës. Kur policia zbulon disa pjesë të trupit, problemet ndërlikohen edhe më shumë. Katër gratë, bashkëpunëtore në krim, përveç policisë duhet të shqetësohen edhe për një fajdexhi që ka lidhje me Jakuzan, i cili pasi zbulon sekretin e tyre do ta përdorë për përfitimet e veta. Romani merr një kthesë të papritur tensionuese kur katër gratë vihen në shënjestren e pamëshirshme të pronarit të një klubi nate, të cilit policia i ka ngarkuar krimin. Për shkak të tyre, ai ka humbur gjithçka dhe tani është i etur për hakmarrje. ‘Përtej’ është një thriller psikologjik që zbulon skutat më të errëta të shpirtit njerëzor, një përkujtues turbullues që dëshira e dëshpëruar për liri mund të bëjë edhe njeriun më të zakonshëm të bëjë të paimagjinueshmen.

Të Dhëna

Fletët 560
ISBN 9789928062413
Vendodhja Tirane
Gjuha Shqip
Tipi i publikimit Libër
Grupmosha mbi 14 vjeç
Statusi I ri
Numri i botimeve I parë
Përkthyesi Anisa Trifoni
Roman Mister&Thriller

 

Top Channel