Shpenzimet e Kontratës Koncesionare për sterilizimin e pajisjeve mjekësore kirurgjikale kanë dalë jashtë çdo parashikimi vlerëson kontrolli i lartë i shtetit. Në 2018-n koncesionari ka faturuar rreth 17 milion euro, nga afro 10 milion euro që ishin parashikuar në fillim të vitit. Por jo të gjitha paratë e faturuara janë paguar nga Ministria e Shëndetësisë.

Tejkalimi i shpenzimeve ka bërë që në fund të 2018 buxheti i shtetit t’i ketë një borxh prej rreth 5 milionë euro kompanisë koncesinare, thotë kontrolli i lartë i shtetit. Ndërkohë nuk ka një përcaktim të detajuar për përdorimin e paketave për çdo lloj operacioni kirurgjikal, dhe çfarë pajisjesh duhet të këtë kjo paketë.

Krahasuar me 2017 fatura e koncesionit të sterilizimit gati është dyfishuar. Kontrata është nënshkruar pa tavan të sipërm kostoje. Si rezultat, pagesat e buxhetit për këtë shërbim janë rritur me ritme të vrullshme nga viti në vit duke vënë në vështirësi financat e fondit të sigurimeve.

Në këto kushte, Ministria e Shëndetësisë urdhëroi spitalet publike të ndërmerrnin një masë ekstreme, kufizimin e numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale dhe shtyrjen e operacioneve duke i lënë pacientët në pritje.

Nga ana tjetër kontrata e koncesionit, është hartuar në kushte favorizuese vetëm për koncesionarin, shton KLSh, duke filluar që nga çmimet e paketave, mënyrën si monitorohet dhe si financohet, e deri si zgjidhen mosmarrëveshjet.

Para vitit 2015, sterilizimi i pajisjeve kirugjikale është kryer nga vetë spitalet shtetërore. Por pas këtij viti, qeveria ja dha këtë shërbim me koncesion për një afat 10 vjeçar kompanisë Sani Service.

Top Channel