Që prej marsit 2018 në Gjykatë ra kuorumi i gjyqtarëve kushtetues që duhet të formonin numrin e domosdoshëm për të zbritur në këtë sallë e për të shqyrtuar çëshje mbi paligjshmërinë apo shkeljen e kushtetutës.

Deri tani, stoku ka shkuar në 126 çështje që vazhdojnë të presin, por që nga dhjetori 2018, Gjykata Kushtetuese ka mbetur vetëm me një anëtar, që është zonja Vitore Tusha.

Gjatë këtyre muajve, shqyrtimi i atyre që garojnë për t’u ulur në Gjykatën Kushtetuese ka qenë në dorën e anëtarëve të KED, dhe tanimë kemi gjendemi brenda afatit  30 ditor, ku dy institucionet e emertesës, përkatësisht Presidenca dhe Kuvendi janë brenda afateve për t’u shprehur mbi listën gjashtë emërore që dorëzoi KED  ( Arta Vorpsi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Besnik Muci, Marsida Xhaferrllari, Regleta Panajoti).

Por në listen me gjashtë kandidatë, të cilët i shpëtuan skualifikimit apo vettingut të posaçëm nga ky institucion, sërish në listë ka kandidatë që vazhdojnë të kenë probleme me vettingun. Besnik Muçi, prokuror i Krimeve të Rënda, u kualifikua nga vetting, por çështja e tij gjendet e apeluar në kolegjin e posaçëm të apelit. E njëjta gjë është edhe për gjyqtaren Regleta Panajoti e apeluar gjithashtu. Kandidatja e tretë, Marsida Xhaferrllari për të cilën vettingu dha një vendim, as konfirmim dhe as shkarkim nga detyra.

Thënë ndryshe, kjo situatë ndaj këtyre tre kandidatëve do t’i vendosë në gjendje stepjeje organet e emertesës, pra Presidencën dhe Kuvendin ose së paku në dilemë. Por akoma më tej, në rast se organet e emertesës do ta konsiderojnë si çështje të rëndësishme vettingun ndaj tyre, me shume gjasë në Gjykatë do kemi tre kandidatë që do ulen në vendet e mbetura bosh. Ndërkohë që gara ishte e hapur për katër vende.

Top Channel