Besnik Muçi është betuar sot përpara presidentit Ilir meta si anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit, gjyqtari Muçi, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, u betua duke u zotuar se: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë!”

Të pranishëm në ceremoninë e betimit, sipas Presidencës, ishin përfaqësues të institucioneve të tjera, ambasadorë, përfaqësues të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por ndërkohë që Muçi betohet si anëtar i ri Gjykatës Kushtetuese, procesi i rivlerësimit ndaj tij nuk ka përfunduar ende. Dosja e gjyqtarit ndodhet ende nën shqyrtim nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit deklasifikoi një dokument sekret të DSIK, ku thuhej se prokurori Besnik Muçi ka dy kontakte të papërshtatshme. Një person i dënuar për mos kallëzim krimi, nga i cili ka blerë shtëpinë dhe i ka një borxh 21.000 euro, dhe një tjetër i dënuar për dhënie makine në gjendje të dehur dhe që kishte kundërshtuar forcat e rendit, të cilit i kishte blerë makinën.

Sipas Komisionerit Publik, subjekti rivlerësimit Benik Muçi mund të vihet lehtësisht nën presionin e strukturave kriminale.

Betimi i Muçit i hap rrugën krijimit të Gjykatës Kushtetuese. Por deri në formën e plotë me 9 anëtarë, mbetet një rrugë e gjatë pasi Presidentit i duhet të zgjedhë edhe dy anëtarë të tjerë, tre anëtarë Kuvendi dhe po aq Gjykata Kushtetuese.

Top Channel