Vizita në spital/ Prindi i zemëruar i pret rrugën Johnson-it

18/09/2019 22:24

Boris Johnson është përballur me një prind të zemëruar për shkurtimet në Shoqatën kombëtare të Shëndetit (NHS) gjatë një vizite në spital.

Omar Salem, vajza e të cilit po trajtohej në Spitalin Universitar Whipps Cross në lindje të Londrës, i tha kryeministrit: “NHS është shkatërruar … dhe tani ju vini këtu për një deklaratë shtypi.”

Në një shkëmbim fjalësh dy-minutësh, babai pretendoi se kishte “vite dhe vite dhe vite që NHS po shkatërrohej” dhe i tha z. Johnson se kjo nuk ishte “e pranueshme”.

Z. Salem tha: “Nuk ka njerëz të mjaftueshëm në këtë repart, nuk ka mjekë të mjaftueshëm, nuk ka mjaft infermierë, nuk është aq mirë i organizuar”.

Ndërkohë Johnson tha se “këtu nuk ka shtyp” por prindi pa nga kamerat dhe tha: “çfarë do të thuash që këtu nuk ka shtyp, kush janë këta njerëz?”

Një zëdhënës i kryeministrit tha se burri ishte “shumë i dëshpëruar” dhe kryeministri “nuk do të fshihej në ato rrethana kur ai shkon në këto vizita, dhe kështu që padyshim është i prirur të flasë me njerëzit dhe të empatizojë dhe të shohë se çfarë ai mund të bëjë për të ndihmuar”.

Top Channel