‘Pesha e dashurisë’ nuk është një libër si te tjerët. Te flasësh me aq delikatese, dhembshuri dhe art për një spital ku strehohen njerëzit qe kane humbur mendjen, për jetët e tyre, për boten e tyre, nga disa këndvështrime, madje edhe nga syri i një vajze qe e viziton spitalin çdo dite, sepse aty është mbyllur i ati, nuk është e lehte.

Por Sara Stridsberg është një shkrimtare që tashmë e ka provuar veten. Ky është një libër i cili ka një dramë të veçantë që lidhet me marrëdhëniet njerëzore, por jo ato të zakonshme. Bëhet fjalë për marrëdhënie njerëzore në një spital psikiatrik. E zgjodhëm pikërisht për shkak të kësaj drame që është kaq e veçantë, thotë për Vitrina e Librit, znj. Mariana Ymeri nga Shtepia Botuese ‘Dituria’ dhe për shkak të vetë vlerave të librit, të cilat e kapërcejnë të zakonshmen. Gjithashtu botimi i këtij romani  në gjuhën shqipe është pjesë e projektit të BE-së: “Histori fatesh njerëzore”. Nuk është fort e lehtë të shkruash për tema të tilla kaq të ndjeshme sepse gjatë gjithë kohës mund të bësh gabime. Të biesh në një banalitet të rëndomtë, gjë që e bën zero romanin ose e kundërta, shton znj. Ymeri, ta shohësh atë, me syrin e mëshirës. Sara Stridsberg e ka kapërcyer me art dhe empati këtë pjesë sepse romani është vërtet një makinë empatie. Çdo gjë shihet me dhembshuri. Libri është shkruar me një stil vërtet poetik. Kur zgjedh një roman për ta përkthyer, thotë botuesja e tij në shqip, sigurisht është një ndërmarrje e vështirë, sepse duhet të mendosh shumë gjëra. Dhe përtej atyre indikacioneve që përdoren zakonisht, janë dhe klasifikimet letrare, zëri i kritikës, komentet e njerëzve, etj. Po ku zhvillohen ngjarjet? Cila është historia e dashurisë që lind aty? Znj. Ymeri shpjegon me tej se Beckombergu është  një spital psikiatrik i vërtetë që është ndërtuar në vitin 1933 në Stokholm. Idea e ndërtimit të tij erdhi si rezultat i nevojës për të kuruar njerëz që vuanin nga sëmundje të mendjes. Beckombergu ishte një lloj spitali, që do t’i mblidhte këta të sëmurë për të krijuar një lloj familjeje. Ka një dilemë të tmerrshme e cila nuk është një dilemë vetëm në një vend por është kudo. Eduard Untirson, mjeku kryesor i këtij spitali kishte konceptin e tij që këta njerëz duhet t’i ktheheshin jetës, të dashuronin sërish, të kishin lidhje të reja, të realizonin ëndrrat e tyre, madje të dilnin dhe në klub të pinin një gotë verë, që këta njerëz të mos jetonin vetëm prej ilaçeve, por edhe për shkak të këtyre marrdhënieve njerëzore që krijoheshin. Sepse është e çuditshme duke e lexuar librin do ta shikojmë sesi Xheki vajza e vogël e Xhimit 13-vjeçare, hyn në këtë spital jo si paciente, por qe ndjek dhe viziton të atin dhe që pastaj bëhet mike me të gjithë. Do të gjejë aty dhe dashurinë e vet. Do të gjejë Paulin, i cili është një pacient që ka vrarë gruan e vet. Dhe megjithatë Xheki gjen tek ai një lloj mbrojtjeje, një lloj qetësie, një lloj dashurie. Janë fate vërtet kaq të brishta dhe kaq mallëngjyese saqë unë mendoj që njerëzit që do ta lexojnë do ta kujtojnë shumë këtë roman, thotë znj. Ymeri, për Vitrinën e Librit. Po si ishte klima në këto spitale të viteve ’30 në Suedi? Por dhe në gjithë Evropën? Cila ishte fryma aty brenda? Të gjitha këtyre pyetjeve për lexuesin shqiptar, Mariana Ymeri i jep përgjigje në rubrikën e Vitrinës së Librit, të dielën mbrëma në Top Channel, ora 20:00.

Fragment nga libri                                                         

Është natë kur Xhimi gjendet midis dëborës, afër autostradës për në aeroport, dhe dërgohet drejt Beckombergut, spitalit psikiatrik disa kilometra larg Stokholmit, i madh pothuajse sa një qytet i vogël. Nuk do të dalë prej spitalit për një kohë të gjatë, aq sa e bija, Xheki, do të kalojë një pjesë të madhe të adoleshencës brenda kangjellave të ndërtesës, midis mjekësh antikonformistë dhe pacientësh me një marrëzi joshëse: mjekë si Eduard Uintersoni, që i nxjerrin të sëmurët natën nëpër qytet, të bindur se vetëm mes njerëzve, ata mund të bëhen sërish të njerëzishëm! Pacientë si Sabina, me të cilën bien në dashuri të gjithë, të shëndoshët dhe të sëmurët.

 Komente nga autorë të ndryshëm

Pak shkrimtarë suedezë kanë një zë të tillë të dallueshëm si Sara Stridsbergu. Ligjërimi i saj lë gjurmë edhe në qëndrimin ndaj njerëzve që përshkruan. Një qëndrim lirik dhe elegant, që krijon empati ndaj ngjarjes dhe personazheve.

Lennart Bromander, Arbetarbladet

Pesha e dashurisë është një roman i komplikuar… Por, në të njëjtën kohë, romani përshkruan gëzimin e jetës; ai është një libër për dashurinë në forma të ndryshme. Në fund të fundit, Stridsbergu shkruan për dashurinë për njeriun dhe disa nga portretet e romanit janë të paharrueshme. Guxoj të them se ky është romani më i fuqishëm i Sara Stridsbergut deri më sot dhe ky nuk është një pretendim pa peshë.

Clemens Altgard, Skanska Dagbladet

Dy fjalë për autoren

Sara Stridsberg është një shkrimtare që megjithëse e re, ka merituar çmimet më të larta të letërsisë nordike. Autorja është nderuar për këtë libër me Çmimin Europian të Letërsisë për vitin 2015 dhe tashme është kandidate për Çmimin e madh Booker Prize! Stridsberg ka pozicionin e vendit të 13-të në Akademinë Suedeze. Kjo Akademi zgjedh çmimin letrar të vitit. Sara Striedsberg, është  anëtarja më e re mes 18 anëtarëve të saj. Është tërhequr nga kjo Akademi në vitin 2018, për shkak të skandalit që ndodhi dhe për të treguar qëndrimin e saj anti-konformist. Stridsbergu, ka thënë një kritik i famshëm amerikan, cfarëdo që të ndodhë, do shkruaj apo nuk do shkruaj më, (ajo ka shkruar deri tani 8 romane), e ka kapur vendin e saj në panteonin e letërsisë më të mirë nordike, madje ajo tashmë ka dalë nga kufijtë e kësaj letërsie.

Skeda e librit

Fletët 258
ISBN 9789928292100
Viti i botimit 2019
Vendodhja e botimit Tirane
Gjuha Shqip
Tipi i publikimit Libër
Grupmosha e leximit mbi 14 vjeç
Statusi I ri
Numri i botimeve I parë
Përkthyesi Sokol Demaku
Roman Mister&Thriller

 

Top Channel