1249 rrënjë kanabis u sekuestruan gjatë një operacioni policor në zonën e Kozanit në veriun e Greqisë. Sipas njoftimit për shtyp të policisë greke, në zonën malore të Kozanit, u bë i mundur identifikimi nga ajri i një plantacioni kanabisi, çka ka vënë në alarm të gjitha forcat policore në zonë.

Prej hetimeve rezultoi se lënda narkotike ishte mbjellë në një zonë të izoluar malore, në një tokë të hapur rishtazi mes pyllit të dendur.

Në zonë u dërguan forca speciale të policisë, të cilat mundën fillimisht të izolojnë dhe në vazhdim të arrestojnë edhe trafikantët, një shtetas grek 54 vjeç dhe tre shqiptarë 43, 43 dhe 45 vjeç, emrat e të cilëve nuk bëhen publik për momentin.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1249 rrënjë kanabisi të madhësive 30 cm deri në 3.5 metra, disa automjete të përdorura prej trafikantëve, si dhe fara kanabisi, pistoleta, thika etj.

Përfitimi i organizatës llogaritet në 1.2 milion euro, ndërsa autoritetet helene shprehen të shqetësuara për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me kanabis brenda territorit grek.

Sipas policisë, zonat me rrezikshmëri të lartë janë brezi kufitar me Shqipërisë dhe Greqisë, pasi në përgjithsësi kufiri dypalësh shtrihet në një vijë të gjatë dhe mes pyjeve të dendura dhe maleve të thepisur.

Burime policore thonë se trafikantët e kanë të lehtë të kalojnë në njërën ose tjetrën anë të kufirit, sa herë në afëri të plantacioneve vërehet prania e policisë.

Autoritetet greke pohohnë se kanë mundësi të kufizuara të operojnë në gjithë territorin e vendit, ndërsa situata është edhe më e rëndë në zonat malore të ishullit të Kretës në krahinën e Kalamatës, ku çdo vit prodhohen qindra ton kanabis, i cili kryesisht dërgohet jashtë shtetit prej organizatave të trafikut.

Deri para pak kohësh, në Greqi trafikohej kanabis nga Shqipëria, i cili për shkak të kostos së ulët të tij, mbushi tregun vendas, por me rritjen e masave policore në Shqipëri, tashmë kanabisi shqiptar është tepër i shtrenjtë, për shkak të kostos së lartë të tij, e cila i kalon 1000 eurot për kilogram në Shqipëri, ndërsa prodhimi brenda territorit grek, iu heq trafikantëve kostot e shtuata për kalimin e narkotikëve në territorin grek.

Pikërisht për të shmangur kthimin e Greqisë në një plantacion masiv kanabisi, ministri i Rendit, Mihalis Krisokoidhis ka urdhëruar monitorim të territorit nga ajri, si dhe shtimin e patrullave në terren.

Artur Bibe

FOTO GALERI
1/8

Top Channel