Mauro Icardi e la menjëherë pas krahëve historinë me Interin me të cilin në muajt e fundit u përfshi në një luftë nervash dhe polemikash për të përqafuar me entuziazëm skuadrën e tij të re, Paris Saint Germainin.

Sulmuesi argjentinas dhe bashkëshortja e agjentja e tij Wanda Nara mbyllën bisedimet me kampionët e Francës pikërisht të hënën që ishte edhe dita e fundit e merkatos me sulmuesin argjentinas që fluturoi menjëherë drejt Parisit për të kryer vizitat mjekësore dhe firmosur kontratën me Paris Saint Germain.

Pas kësaj, Icardi bëri edhe deklaratën e tij të parë si futbollist i skuadrës transalpine nëpërmjet një interviste për faqen zyrtare të klubit.

“Falenderoj Paris Saint Germainin për besimin që tregoi ndaj meje, do të bëj gjithçka për të ndihmuar skuadrën time të re për të shkuar sa më larg të jetë e mundur në të gjitha kompeticionet. Paris Saint Germain është shndërruar në një klub të madh në futbollin botëror duke marrë shumë futbollistë të një niveli të lartë në vitet e fundit. Këtu në Paris, ambicia është e madhe dhe jam i sigurt se janë të gjithë kushtet për të shkuar akoma më larg. Mezi po pres të luaj në Parkun e Princave i njohur për bukurinë e tij dhe ngrohtësinë e tifozëve”, tha Icardi.

 

Top Channel