31 korriku është afati i fundit që bizneset të dorëzojnë në qendrën kombëtare të biznesit bilancin vjetor të vitit që shkoi dhe pasqyrat financiare.

Ne sportelet e QKB nuk ka radhë pasi e gjithë procedura behet online përmes një aplikacioni të posaçëm, por duke marrë si referencë vitet e mëparshme, deri një ditë para mbylljes së aplikimeve kanë dorëzuar bilancet vetëm 70% e subjekte ose rreth 17.900 biznese.

Ndërkohë që javën e fundit fluksi ka qenë në rritje dhe kjo ka çuar në probleme aplikimet.

Ditët e fundit të afatit ligjor ka patur mbingarkese ne aplikacionin e ri online për dorëzimin e bilanceve nga biznesi. Qendra Kombëtare e Biznesit fton subjektet që për problemet e natyrës teknike për dorëzimin online të bilanceve të kontaktojë me zyrat e saja.

31 korriku është afati i fundit dhe pas kësaj date bizneset vendosen përpara sanksioneve administrative.

QKB thotë se nuk do të vendosen gjoba për bizneset që kanë aplikuar, por që veprimi nuk iu është konfirmuar për shkak të mbingarkesës së serverit, aplikimi në këtë rast mund të mbyllet edhe pas 31 korrikut.

Po ashtu nga gjoba do të shpëtojnë edhe bizneset që kanë marrë numër aplikimi, por që nuk kanë arritur të plotësojnë pasqyrat financiare për shkak problemeve teknike me mbingarkesën e rrjetit.

Por nga sanksionet nuk do të kursehen bizneset që nuk dorëzojnë fare bilance. Depozitimi i pasqyrave financiare është detyrim ligjor, dhe bizneset duhet të dorëzojnë këto dokumente jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes se çdo viti financiar. Gjoba për tejkalimin e këtij afat është 15 mijë lekë të reja.

Top Channel