Kryetari i PD Lulzim Basha u premtoi qytetarëve të Beratit rihapjen e univerisitetit të mbyllur atje dhe trajtim jo diskriminues per maturantë, siç ndodhi këtë vit me ndryshimin e mesatares një muaj para provimit të parë të maturës.

“Nuk ka gjë më të trishtë dhe më kriminale se të shikosh dritat e fikura të Universitetit të Beratit. Por dua t’u jap fjalën qytetarëve të Beratit që dritat e universitetit do të ndizen në Berat. Do të ndizen anembanë Shqipërisë dritat e arsimit”, deklaroi Basha duke iu referuar mbylljes së universitetit të Beratit.

Kreut i opozitës tha se qeveria ka bërë një padrejtësi të madhe ndaj maturantëve shqiptarë me ndryshimin e mesatares në momentin e fundit.

“Dua t’ju them, në veçanti, qindra prindërve që më kanë dërguar sms gjatë këtyre ditëve, përfshirë edhe prindër nga Berati, se padrejtësia që është bërë me ndryshimin në çastin e fundit të kriterit të mesatares për maturantët është një nga paudhësitë e fundit të këtij regjimi”, nënvizoi Basha.

Top Channel