Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më parë, në kanionin e Holtës në Gramsh. Një grup turistësh, mes të cilëve edhe fëmijë, janë bllokuar brenda në kaionin pas vërshimit të ujërave të rrëmbyer të Lumit të Holtës.

Për shkak të shirave të dendur në malet e Gramshit, është rritur menjëherë niveli i ujit këtu dhe forca e tij. Kjo ka bërë që turistët të bllokohen brenda. Një pjesë e mirë e tyre kanë shpëtuar pasi janë ngjitur në shkëmbinj, por nuk ka qenë ky fati i 25 vjeçares Desantila Sollaku nga Lushnja e cila nuk ka mundur të mbijetojë, me gjithë ndihmën e dhënë nga vëllai dhe të afërm të tjerë që e shoqëronin.

Ka qenë e menjëhershme ndërhyrje e efektivëve të zjarrfikëses së Gramshit, më pas edhe e policisë të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen nga kanioni të personave të tjerë që qëndronin sipër shkëmbinjve.

Vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i turistëve që vizitojnë kanionin e Holtës, jo vetëm për shkak të bukurive këtu, por edhe të ujërave termalë, në brendësi të kanionit ka disa vende me ujëra termalë të cilët frekuentohen nga turistët.

Një ditë më pas, edhe pas ngjarjes që ndodhi ne këtu gjetën dhjetëra turistë.

“Është hera e parë që vij në këtë vend. Është një vend shumë i bukur. Ka pishina të bukura termale, me ujë të ngrohtë, natyrale, e mrekullueshme”, janë shprehur turistët.

Ne ndodhemi thuajse në hyrje të kanionit të Holtës, ndërsa mëtej, turistët vazhdojnë disa dhjetëra metra duke u gjendur kështu edhe përballë një ngjarje, si ajo e një dite më parë, kur uji në mënyrë të papritur erdhi i rrëmbyer.

Sot bëhet apel që në vende të tilla të rriten parametrat e sigurisë, ndërsa guidat turistikë të mos ndërmarrin iniciativa të tilla pa u njohur me kushtet klimaterike të zonës ku ata do të dërgojnë një numër të konsiderueshëm njerëzish.

Top Channel