Ndonëse zyrtarisht procesi i votimit është hapur për zgjedhjen e krerëve të 63 bashkive në orën 7:00,  në disa njësi adminstrative ka pasur probleme. Procesi nuk ka nisur në të gjitha Qendrat e Vorimit në Shkodër.

Situata po vijon të koordinohet mes KZAZ dhe KQZ se çfarë do të ndodhë me këto QV që nuk janë hapur ende. Gjatë orëve të mbrëmjes ka qenë situatë e tensionuar. Qendra e Votimit  e Prekalit është djegur. Pavarësisht kësaj, 85%  të QV janë hapur.

Në Shkodër ende disa QV jofunksionale

Deri në mesditë në  Bashkinë e Shkodrës ka pasur disa probleme në  hapje e qendrave të votimit. Konkretisht janë ende pa u hapur 8 Qendra Votimi në ZAZ nr 2, ku gjashtë  janë në Postribë; një në Dajç dhe një në Kuç. Ndërkohë në qytetin e Shkodrës janë hapur të gjitha qendrat  votimit.

Komisionerët në Pogradec braktisin detyrën

Probleme ka pasur edhe në Bashkinë e Pogradecit, ku disa QV nuk janë hapur pasi komisionerët kanë braktisur detyrën. Pritet zëvendësimi i tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Probleme në Vaun e Dejës

Edhe në Bashkinë e Vaut të Dejës disa QV nuk janë hapur. Ditët e fundit në këtë Bashki ka pasur incidente zgjedhore, ku protestuesit dogjën KZAZ-në. Për pasojë kryeministri Edi Rama firmosi shkarkimin nga detyra të kreut të Bashkisë, Zef Hila dy ditë më parë, duke e akuzuar si organizator të djegies së materialeve zgjedhore.

Për herë të parë në 31 bashki ka vetëm një kandidat për kryetar bashkie, ai i maxhorancës.  Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për qetësi dhe për të shmangur dhunën.

Top Channel