YSAP (Young Scientists Acceleration Program) programi i shkencës që u vjen në ndihmë studiuesve dhe shkencëtarëve të rinj, i realizuar nga organizata joqeveritare DDAER, me mbështetjen financiare të Philip Morris, shpalli sot fituesit e konkursit të parë kombëtar.

Mes një sërë aplikimesh të dorëzuara në portalin e vënë në dispozicion të të interesuarve, janë përzgjedhur 3 projekte fituese nga fusha e mjekësisë dhe bujqësisë.

Shkencat natyrore, Mjekësi – Vlerësimi i embrionit në kushte të ndryshuara fiziologjike pas vlerësimit gjenetik në fazën e blastocistit, me studiuese Emi Gliozheni. Në fushat e bujqësisë dhe inxhinierisë u përzgjodh një projekt që i gërsheton të dyja këto fusha në një zbatim të vetëm: AutoFarm: Bujqësia e Automatizuar, nga studiuesi Donald Selmanaj.

Ndërsa në sferën e shkencave të natyrës, u mbështet projekti kërkimor “Testimi i zeoliteve artificiale të përftuara nga mbeturinat industriale si katalizatorë për funksionalizimin e përbërjeve fenolike që do të përdoren në prodhimin e barnave”, nga studiuesja Silvana Gjyli.

Të tre studiuesit e përzgjedhur, të cilët zotërojnë titullin shkencor PhD, kanë përfituar bursa studimore, qasje në kurse dhe biblioteka online, si dhe konferenca dhe revista shkencore.Gjithashtu, ata do të marrin të gjithë mbështetjen e nevojshme për të zhvilluar dhe zbatuar propozimet e tyre.

Bazuar në projektet e paraqitura, komisioni përzgjedhës i përbërë nga profesorë të Universitetit të Tiranës, ka vlerësuar vizionin e aplikantëve por edhe prakticitetin, planin e kërkimit shkencor si dhe argumentimin për mënyrën e shpenzimit të bursës.

Programi YSAP (Young Scientists Acceleration Program), jo vetëm i vjen në ndihmë shkencëtarëve të rinj, por ndihmon dhe në zhvillimin e shkencës në Shqipëri.
Aplikimet në këtë program kanë qenë të hapura prej muajit Mars duke u dhënë kohën e mjaftueshme për regjistrim të gjithë studiuesve të rinj me 2-7 vite përvojë, kandidatë ose të diplomuar në nivelin pas universitar PHD, që demonstrojnë propozime teknike konkrete dhe janë premtues falë rezultateve të arritura deri më tani.

Interesi i studiuesve dhe kërkuesve shkencorë ka qenë i lartë. Në portal janë regjistruar një sërë projektesh kërkimore shkencorë të fushave të ndryshme si në shkenca natyrore, mjekësi, bujqësi, inxhinieri, shkenca kompjuterike si dhe telekomunikim.

Top Channel