Sërish tensione në Shkodër për KZAZ-të, Ademi: Policia po synon nxitjen e konfliktit dhe dhunës

18/06/2019 11:06

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ka dalë në konferencë pas tensioneve që janë rikthyer mëngjesin e sotëm në një prej KZAZ-ve të kësaj bashkie. Ademi deklaroi se “të mbështetur nga Policia e Shtetit sot në mëngjes, persona të paidentifikuar kanë tentuar të shpërthejnë derën e Pallatit të Sportit, por nuk ia kanë dalë, pas ndërhyrjes së policisë bashkiake.”

Kryebashkiakja theksoi se “për këtë cënim të rëndë të autonomisë vendore nga qeveria e Edi Ramës kam vënë në dijeni institucionet dhe organizmat nderkombëtare, për të cilat qeverisja vendore e qyteteve, është e shenjtë.”

Ajo akuzoi Policinë e Shtetit se po “synon nxitjen e konfliktit dhe përdorimin e dhunës.”

“Çdo akt që persona me uniformën e policit kryejnë kundër punonjësve të bashkisë, në këtë rast policisë bashkiake, e cila ka përgjegjësinë ligjore të administrojë pronën e Bashkisë së Shkodrës, në këtë rast pallatin e sportit, i cili është tentuar të uzurpohet edhe mëngjesin e sotëm nga militantët e Ramës, do të marrë përgjigjen e duhur”, tha ndër të tjera kryebashkiakja.

Voltana Ademi ka njoftuar më parë se njeh dekretin e presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale dhe ka kërkuar nga KQZ që të largojë materialet nga institucionet vendore.

Reagimi i Ademit

Policia e Shtetit është prej shumë kohësh jashtë shinave të ligjit, duke i shërbyer qëllimit kriminal të Edi Ramës për të uzurpuar me forcë atë që nuk fiton dot me votë.

Bashkia e Shkodrës bën pjesë në këtë plan gjakftohtë kriminal të Edi Ramës, por që ka për t’i dështuar.

Në përputhje të plotë me ligjin, në zbatim të dekretit në fuqi të Presidentit të Republikës, i botuar edhe në Fletoren Zyrtare, i detyrueshëm për zbatim nga çdo institucion shtetëror dhe i zgjedhur, Bashkia e Shkodrës ka kërkuar nga KQZ lirimin e mjediseve, që janë pronë e saj.

Bashkia e Shkodrës ka kërkuar zyrtarisht bashkëpunimin  e Policisë së Shkodrës për të zbatuar dekretin e Presidentit, i cili ka shfuqizuar 30 qershorin si datën e zgjedhjeve vendore. Deri tani që flasim, nuk ka asnjë përgjigje zyrtare, asgjë me shkrim, siç normalisht duhet të funksionojë komunikimi në mes institucioneve të shtetit. Përgjigja e vetme e policisë, siç po e shohin përditë shkodranët, e kudo, nuk është ajo e një institucioni në shërbim të interesit publik, por e një bande, që synon nxitjen e konfliktit dhe përdorimin e dhunës.

Si Kryetare e Bashkisë së Shkodrës kam detyrimin ligjor të bëj gjithçka për kontrollin e territorit të Bashkiës, duke mos lejuar asnjë puç institucional të bandave të Edi Ramës, që drejtojnë Policinë, Prefekturën dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Çdo akt që persona me uniformën e policit kryejnë kundër punonjësve të bashkisë, në këtë rast policisë bashkiake, e cila ka përgjegjësinë ligjore të administrojë pronën e Bashkisë së Shkodrës, në këtë rast pallatin e sportit, i cili është tentuar të uzurpohet edhe mëngjesin e sotëm nga militantët e Ramës, do të marrë përgjigjen e duhur. Të mbështetur nga Policia e Shtetit, sot në mëngjes, persona të paidentifikuar kanë tentuar të shpërthejnë derën e Pallatit të Sportit, por nuk ia kanë dalë, pas ndërhyrjes së policisë bashkiake.

Për këtë cënim të rëndë të autonomisë vendore nga qeveria e Edi Ramës kam vënë në dijeni institucionet dhe organizmat nderkombëtare, për të cilat qeverisja vendore e qyteteve, është e shenjtë.

Edi Rama mund t’ia ketë dalë me çfarëdo makinacionesh të asgjesojë dhe të minojë institucionet që kontrollojnë pushtetin e tij, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, por nuk do t’ia dalë të nënshtrojë Shkodrën dhe të asgjesojë vullnetin e shkodranëve për të votuar si qytetarë europianë në zgjedhje të lira e të ndershme!

Top Channel