“Aq dëme kam pasur sa vetëm shpirti ma di. Kanë rënë të tëra, copa; i tërë fshati i bëri shtëpitë e reja kurse unë ca më bie jashtë, më bie brenda”, e nis rrëfimin banorja e zonës së Zharrësit, Lindita Premçe.

Që prej dhjetorit të vitit 2017, Lindita Premçe nuk ka një shtëpi të sigurt.  Si  rreth 500 familje në Zharrëz edhe ajo u prek nga lëkundjet e tokës. Katastrofa nuk ishte natyrore, por e shkaktuar nga aktiviteti i njeriut. Megjithëse ishin tërmete, pasojë e kërkimeve për naftë të kompanisë Bankers Petroleum, ende sot Lindita me bashkëshortin dhe nënën e saj të sëmurë  jeton nën mure të çara.

Asnjë dëmshpërblim s’kemi marrë. As që kanë ndërmend që të kutjohen. Opo më shumë për mamanë që kam të sëmurë, po hajde në më”, ankohet ajo.

Vlera e dëmit të shtëpisë që u klasifikua si e pabanueshme është 600 mijë lekË. Por ende sot e kësaj dite familja e Linditës nuk ka marrë asnjë qindarkë dëmshpërblim nga Bankers Petroleum, por as nga pjesa që i takon shtetit.  Ata nuk kanë para ndaj dhe nuk kanë ku të jetojnë tjetër.

Të njëjtin shqetësim ka dhe Liri Hadaj, e cila nuk i ka marrë paratë e dëmshpërblimit ashtu si 375 familje të tjera në Zharrëz.

“Nuk jemi shpërblyer akoma. Ma thonë që do i japin, por vetëm mashtrojnë. Këto janë shtëpitë”, thotë Liri Hadaj.

Për këtë arsye banorët po përgatisin një peticion drejtuar kompanisë Bankers Petroleum edhe pse siç e thonë vetë askush nuk e vret mendjen se ku jetojnë ata. Vetëm ne Zharrëz, komisioni i vlerësimit ka përcaktuar 387 shtëpi me dëmtime të pjesshme, ndërsa 71 shtëpi janë me dëmtime të rënda, ose të pabanueshme.  Një pjesë fare e vogël është dëmshpërblyer deri tani.

 

 

Top Channel