Edhe për pak orë votohet në BE për Parlamentin e ri Europian. Në Gjermani, Francë, Itali, Bullgari, Rumani, Kroaci, Hungari, Greqi etj., u votua sot për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e vetëm ndërkombëtar në botë, me 751 vende.

Shtatë shtete të BE-së kanë votuar tashmë, me Britaninë e Madhe dhe Holandën që e nisën procesin më 23 maj, por rezultatet paraprake do të dalin vetëm sot, pasi të përfundojnë votimet në të gjitha shtetet, në mënyrë që të mos ndikohet aksidentalisht procesi në shtete të tjera.

Sondazhet sugjerojnë se partitë e ekstremit të djathtë, populistët euroskeptikë, nuk do të kenë rezultate të mira, ashtu siç kishin parashikuar disa vëzhgues.

“Prioriteti kryesorë është të ruajmë BE-në si projekt, jo vetëm tani, por edhe në terma afatgjata. Unë jam i sigurtë se do të mund ta bëjmë këtë”, tha Donald Tusk, president i Këshillit Europian.

Dhjetëra miliona votues në 21 shtete të Bashkimit Europian kishin sot të drejtën e votës. Lajmi i mirë është se në shumë vende është kapërcyer përqindja e pjesëmarrjes në votimet e para 5 viteve, përfshirë këtu Francën, Hungarinë, Sllovakinë, Rumaninë e madje edhe Gjermaninë.

Rezultatet e para priten rreth orës 23:00 të mbrëmjes, pas mbylljes së procesit në të gjitha vendet. Pritet sidoqoftë që partitë djathtiste të rrisin numrin e vendeve në Parlament, me kampin liberal që është nën presion.

Sipas sondazheve në 28 shtetet anëtare, populistët e krahut të djathtë dhe kundërshtarët e BE-së mund të marrin 20 deri 23 për qind të vendeve në Parlamentin e ri. Natyrisht, kjo është shifër e mjaftueshme, por jo aq sa për të marrë pushtetin, siç mund të kishin shpresuar ata.

Top Channel