Rekuiem

Noton në përrua me gjethe mbështjellë
Një ditë e vdekur vjeshte
Dhe shtergët e fundit kaluan të ngrirë
Me sytë e verdhë në heshtje.

Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës
Lugina me hënë e lyer
Dhe drerët e erës venë kujën me dhembje
Me brirët prej akulli thyer.

Më vdiq dhe kjo vjeshtë, më shkoi si kjo ditë
Qefinin me gjethe të tharë
O dimri i drerëve me brirët në erë

Kë vjeshtë të qajmë më parë?

Këto janë disa vargje shkëptur nga vëllimi me poezi i Frederik Rreshpes, 100 Lirikat botuar së fundi nën kujdesin e dy studiuesve G. Krasniqi dhe prof. Vjollca Osja. Që në fund të viteve ’60 Frederik Rreshpja spikat si një poet me një talent të cuditshëm, gjeniun krejtësisht modern. Përvec poezive, ai shkruan përralla të denja për vetë penën e Oskar Wilde. Cilësohet si një njeri me energji të mëdha, ndonëse nuk është ambicioz, përkundrazi tepër i shkujdesur e moskokëcarës për veten. I lirë në mendimet e tij, ai mbetet një rebel i pandreqshëm dhe i pathyeshëm në cdo kohë. Frederik Rreshpja aventurën e artit, cilësojnë kritikët, e plazmoi me aventurën e jetës pikërisht si shprehje e lirisë ekzistenciale të individit. Vitrina e Librit në një bashkëbisedim me studiuesen Osja, sjell në vëmendje arsyet se përse erdhi ky libër pikërisht tani dhe përse ajo mbet një ëndërr për poetin deri në fund të jetës së tij. Ka qenë një poezi e vendosur në rrjetet sociale gabimisht si e poetit që ka shtyrë këta dy studiues të ndërmarrin inisiativën për të përmbledhur në një botim të vetëm poezitë e shpërndara të Rreshpes. Shkëputja prej 15 vjetësh nga poezia dhe ngritja e saj e përnjëhershme në stad të lartë, flasin për një fenomen përtej shqiptares, për njeri një të vetëdijshëm për atë që mund të bënte. Rreshpja, shpjegon Osja e shfrytëzon pjekurinë artistike si një Kavafis, Yeats apo Montale. Ndryshe nga ç’kishte qenë moda e shekullit XX, ai i përket klasës së poetëve që kërkojnë ta mbyllin jetën e vet në një libër. Në vitin 1992, ai thotë për një gazetë të Kosovës: “…dua ta përsos poezinë dhe ta bëj atë shqiptare”. Sot ka nga ata që janë të bindur për këtë, por atëherë mungonte çdo vëmendje ndaj asaj që ai shprehte. Poezitë e kësaj periudhe i botoi më 1994 te libri “Erdhi ora të vdes përsëri”. Mania që kishte për përsosmërinë, e bëri që të reflektonte dhe dy vjet më vonë të botonte vëllimin “Lirika të zgjedhura”. Studiuesja Osja thotë se nuk e nxirrte lehtë vargun dhe aq më tepër titullin e një vepre. Ndaj ishte në mëdyshje të thellë për për titullin “100 lirika”. Çfarë donte të thoshte kjo? Kjo donte të thoshte që, edhe pse në kulmin e krijimtarisë, nuk mund të realizonte aq lirika. Te libri ‘Lirika të zgjedhura”, Rreshpja la jashtë rreth 15 poezi nga libri i mëparshëm dhe shtoi diçka më pak. As kthimi te poezia e hershme nuk e ndihmoi për të arritur numrin 100. Mori 4-5 poezi. Siç ndodh shpesh, ndoshta kjo prirje për përsosmërinë qe një nga gjërat që e la jashtë vëmendjes. Ai bënte kompromis vetëm me vokacionin e tij. I zhgënjyer, nuk botoi më dhe nuk e organizoi më veprën e vet ashtu siç do të donte ai, me 100 lirika dhe ky mbetet një nga trishtimet më të mëdha të një letërsie.

Rreshpja mbetet poeti që nuk ka tentuar për të ribotuar në vitet ‘90-të pjesën e parë të krijimtarisë së tij. Sidoqoftë, nga krahasimi i teknikave të realizimit të vargut, thotë Osja në Vitrinën e Librit, të kujton Malarmenë, si poet që nuk i lejon vetes asgjë të rastësishme, sado e bukur qoftë ajo, sepse çdo gjë duhet të mbizotërohet deri në fund. Ato vargje na kujtojnë se sa e rëndësishme qe për këtë poet krijimtaria popullore, duke dhënë disa prej veçorive që ka përdorur ky poet në raport me atë krijimtari.

Më poshtë disa poezi të poetit
Zogjtë

Gruri fle nën dëborë.
Fusha tërë dimër nën yjet e ftohtë.
Vetëm zogjtë sillen si aviona të hutuar.
Ku e keni aerodromin, o zogj?

Trokiti në dritare dimri i kontinentit
Dhe ti kujtove se jam unë që po vij.
Jo, dimri e ka shtëpinë në fushë,
Vetëm unë e kam shtëpinë tek ti.

Por, kur vijnë zogjtë mos harro
Të hapësh dritaret tejembanë
Se, sigurisht, zogjtë nuk janë dimër,
As aerodrome nuk kanë.

Lirikë intime

Eja, mbështetemi te pema
Në vetminë e saj prej druri,
Te stoli të ulemi, eja
Në vetminë e tij prej guri.

Nën të njëjtin yll jemi ndeshur
A mund të rrimë pra të ndarë,
Si stoli me trungun e heshtur,
Mbjellë shumë vite më parë?
Në flakë vetëtime pashë
Ovalen dridhëse të buzëve
Dhe si një magji poshtë saj,
Gjithçka që në jetë më duhej.

Pastaj gjëmimin, unë ndjeva
Rininë tënde të përkulej,
Në çast u hepova si dega
Dhe gjeta gjithçka që më duhej.

Kanë thënë për Frederik Rreshpen:

Hans Joacim Lanksch;
„… vepra e Frederik Rreshpes është poezi e dorës së parë e kalibrit europian“,

Robert Elsie:
“… që në rininë e tij Rreshpja ka qenë një poet tronditës“,

Henri Izrael, botues amerikan:
“… është një poezi tronditëse dhe me një mjeshtëri që ne amerikanëve na mungon“,

Ivanov, kritik rus:
„… ne kemi Pushkinin, Jeseninin, dhe shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë një poet të tillë“,

Leo dë Rua, kritik francez:
“… u trondita nga ky njeri që përmban një gjenialitet ballkanik, që është vendi i lindjes së artit“,

Ismail Kadare:
“… Frederik Rreshpja është ndër poetët më të mirë të Shqipërisë“.

Top Channel