Sot në ‘Top Talk’ ka qenë i ftuar Drejtori i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa.

Ditët e fundit ka shpërthyer një debat mes tij dhe disa personazheve të njohur publikë për çështjen e historisë së Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Deputeti Spartak Braho, ish-deputeti Sabit Brokaj apo ish-ambasadori Fatos Tarifa e akuzojnë zotin Tufa për njollosje të së shkuarës së lavdishme të luftës, ndërsa z Tufa i akuzon ata si enveristë. Sot ai i paditi këta persona penalisht për shpifje. Agron Tufa është në “Top Talk” për të hedhur dritë rreth kësaj përplasjeje publike. Gjatë intervistës së dhënë ai ka sqaruar fillesën e debati publik mes tij dhe personave të lartpërmendur.

“Pas paraqitjes së raportit vjetor në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, bëhet mbledhja për miratimin e rezolutës. Në atë mbledhje, përveç të tjerëve ka qenë edhe deputeti Spartak Braho, që lëshoi një lumë akuzash drejt meje dhe institutit, pa pasur asnjë bazë apo fakt konkret. Në këtë mënyrë, e mora videon dhe e bëra të njohur, që të shihej se në çfarë mënyre sulmohet një institucion”, tha zoti Tufa.

Pyetjes së gazetarit, se mos kishte etiketime apo gjëra të tjera në raportin e përpiluar, që e nxitën zotit Braho që të bënte këtë lloj reagimi emocional, Tufa tha se në të flitet për gjëra të vërtetueshme.

“Ne flasim për gjëra të vërtetueshme. Raporti nuk ka asnjë libër që ka të bëjë me luftën. Nuk kishte asnjë shkak për atë reagim. Ai i referohet librit ‘Krimet e komunistëve gjatë luftës”, që është botuar në vitin 2014. Ky libër është miratuar me rezolutën e Kuvendit që është votuar nga Parlamenti, madje edhe me votën e vetë zotit Braho. Krimet i kemi vërtetuar në dokumentet e vetë partisë së tyre, domethënë mbi dokumentet e arkivave të shteti. Asgjë nuk është e sajuar”, sqaroi kreu i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Top Channel