Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla në Tiranë. Në kuadër të operacionit të koduar “Fundjava”,  ka rënë në pranga 35-vjeçari që shpërndante lëndën narkotike.

Shtetasi M. H., banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve, ishte në vëzhgim nga shërbimet e policisë. Ndaj tij disponohej  informacion nga policia se ai merrej me shpërndarje të lëndës narkotike të llojit heroinë,  në formë dozash në zonën e “Selitës”, “Kombinatit”, “Astirit” dhe “Yzberishtit”.

Ky shtetas është konstatuar duke qarkulluar me biçikletë në rreth-rrotullimin e bulevardit të “Kasharit” dhe është ndaluar për kontroll nga shërbimet e policisë.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar i janë gjetur 5 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.

Në vijim shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll dhe në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe 20 doza të tjera, me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 25 doza heroinë, 2 aparate celular dhe një biçikletë.

Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit M. H., për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike”.

Top Channel