“Top Story”, gazetarja e “Mother Jones”: Përfshirja e “Biniatta Trade” në pagesat për PD nisi investigimin

27/03/2019 21:24

Muzin kishte raportuar se pagesat për aktivitetet e Partisë Demokratike ishin kryer nga “Biniatta Trade”, një kompani me seli në Edinburg.

“Kur Nick Muzin përditësoi dokumentet e tij dhe i pamë, thamë: Kush është ‘Binniata Trade’? Çfarë është kjo kontratë misterioze prej 500 mijë dollarësh, që është e lidhur me këtë parti shqiptare? Kjo nxiti interesin tonë për të marrë vesh se çfarë është ‘Binniata Trade’, kush i financon, çka na çoi në një kërkim të gjatë dokumentesh, ku përdorëm të dhënat zyrtare të korporatave britanike, bëmë disa kërkime, madje edhe në Kanada. Na çoi pra në disa drejtime të ndryshme”, tha Hannah Levintova, gazetare e “Mother Jones”.

Muzin e tërhoqi shumën prej 500.000 dollarësh vetëm disa ditë para se të organizonte mundësinë që Basha të kishte një fotografi me Donald Trumpin gjatë një mbledhje fondesh në Milwaukee.

Ndërkohë, pagesa prej 150.000 dollarësh përfshinte një kontratë të panënshkruar të datës 20 mars 2017, midis “Biniatta Trade” dhe “Stonington Strategies”. Kjo e fundit është kompania e Nick Muzin. Sipas kësaj kontrate, “Biniatta” duhej të paguante Muzin me 3 këste prej 150.000 dollarësh secili; dhe një pagesë tjetër prej 500.000 dollarësh për organizimin e një sërë eventesh dhe takimesh në Uashington, në muajin e parë të projektit.

Por Muzin nuk e kishte përfshirë “Binniata Trade” në dokumentet origjinale, e kjo kishte ngritur dyshime në Departamentin e Drejtësisë.

Në dokumentin e siguruar nga “Top Story”, që lobisti Nick Muzin paraqiti më 14 nëntor të vitit 2017, thuhet:

“Lidhur me përfaqësimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, i regjistruari ka hyrë në një marrëveshje shtesë me ‘Biniatta Trade LP’ për të promovuar lidershipin konservator të Shqipërisë. Ndërsa marrëveshja me ‘Biniatta Trade LP’ fillimisht u paraqit sipas ‘Aktit të Lobimit’, një rishikim në kuadër të deklaratës shtesë përcaktoi se përfaqësimi ishte në përfitim të Partisë Demokratike të Shqipërisë”.

Me pak fjalë, me këto dokumente shtesë, Muzin njoftoi Departamentin amerikan të Drejtësisë se kishte marrë 675.000 dollarë për punën e tij për Partinë Demokratike, shumë më tepër se 75.000 dollarët e deklaruara në kontratën fillestare.

Por, një pjesë e regjistrimit të ndryshuar ishte në kundërshtim me kontratën e bashkëngjitur midis firmës së tij dhe “Biniatta Trade”. Muzin deklaronte aty se Partia Demokratike e Shqipërisë, dhe jo “Biniatta Trade”, ishte entiteti që kishte bërë pagesën prej 500.000 dollarësh për të. Pra, lobisti amerikan ishte përpjekur që të mos ekspozonte lidhjen e Partisë Demokratike me “Biniatta Trade”, një kompani e lidhur me rusët.

Top Channel