I gjithë Kongresi i Partisë Socialiste ishte i konceptuar dhe ndërtuar në funksion të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, kur kanë mbetur vetëm 3 muaj nga ky test i rëndësishëm për mazhorancën, për të cilën opozita nuk e ka ndarë ende mendjen nëse do të futet në garë apo jo.

Në këtë Kongres, kryebashkiaku Dritan Leli i Vlorës, Armando Subashi i Fierit, Sotiraq Filo i Korçës, ajo e Roskovecit, Majlinda Bushi, ishin zgjedhur për të mbajtur një fjalë për atë çfarë kanë arritur këto 4 vite dhe sfidat në bashkitë që drejtojnë.

Përzgjedhja e tyre, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ishte një rikonfirmim për të garuar për një mandat të dytë.

Nuk përbën më surprizë deputeti Pjerin Ndreu, i përzgjedhur për të fituar garën në Bashkinë e Lezhës, drejtuar nga demokratët.

“30 qershori duhet të jetë pikënisja e ndryshimit të Lezhës, ashtu siç ne kemi bërë me Partinë Socialiste, me qeverinë Rama dhe me kujdesin e vet kryeministrit, duke dërguar atje investime të rëndësishme në Spitalin e Lezhës, në sistemin energjetik, në rrugën Milot-Balldren, në rrugën e Torovicës, apo atë Shëngjin-Velipojë. Të gjitha këto tregojnë se ne jemi njerëz të punës. Ne nuk flemë gjumë, mos harroni! Ne punojmë”, tha Pjerin Ndreu.

Kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini ishte në Kongres, por nga salla pa të fliste pasardhësi i tij, Prefekti Gledian Llatja, i zgjedhur për t’iu dhënë socilistëve edhe një mandat 4-vjeçar për këtë bashki.

“Ne sot kërkojmë mbështetjen e çdo qytetari shqiptar, e çdo qytetari të Elbasanit, të çdo socialisti dhe çdo demokrati për të vazhduar rrugën për Shqipërinë europiane. Është kjo rrugë, që neve na bën besimplotë se do të kemi një fitore të plotë më 30 qershor, fitore në të 61-ta bashkitë e Shqipërisë”, tha Gledian Llatja.

Mospërzgjedhja e Vangjush Dakos për të folur në këtë Kongres, krah kolegëve të tij socialistë, ishte një sinjal se me gjasë, njeriu që për 3 mandate ka drejtuar Durrësin nuk do të jetë në garë.

Sa i përket kandidatëve të tjerë, Partia Socialiste është duke vijuar me sondazhet. Është me rëndësi që ata të zgjedhin kandidatët e duhur. Për Durrësin dhe për Shkodrën, dy qytete të rëndësishme, ende nuk është vendosur se kush do të garojë. Shpallja e kandidatëve të tjerë do të bëhet në një kohë të dytë.

Top Channel