Një pëllumb kampion është shitur për një shifër rekord prej 1.25 milionë eurosh. Shtëpia e ankandeve Pipa, e ka quajtur Armando, pëllumbin më të mirë belg të distancave të largëta, gjatë të gjithë kohërave, ndërsa të tjerë e quajnë atë edhe Lewis Hamiltonin e pëllumbave.

Para kësaj shitjeje, rekordi ishte 376 mijë euro. Pëllumbi kampion, që mbush pesë vjeç, tani po i gëzohet pensionit dhe është po ashtu baba i një numri fëmijësh.

“Ishte jo reale, dukej si diçka nga përtej kësaj bote”, tha Nikolas Gyselbreht, drejtues i Pipa-s, duke rrëfyer momentin kur erdhi oferta prej mbi 1 milionë eurosh.

“As në ëndrra nuk e kishim parë një çmim të tillë” – shton ai, duke saktësuar se ishte parashikuar një çmim prej rreth 400 apo 500 mijë eurosh. Dy blerës nga Kina u angazhuan në një betejë të vërtetë ofertash, që u rritën nga 532 mijë euro deri në 1.25 milionë, në vetëm një orë.

Dhe për të qartësuar gjithçka, sipas vetë ekspertëve, çmimi i zakonshëm për një pëllumb garash, është rreth 2500 euro. Por Armando nuk është një pëllumb i zakonshëm. Tani atë e pret një jetë e qetë, larg garave, por pronarët e rinj do të stërvitin trashëgimtarët e tij.

Top Channel