Hetimi për krime lufte në Afganistan, SHBA kërcënon gjyqtarët me heqje vizash

16/03/2019 00:37

Shtetet e Bashkuara do të tërheqin ose refuzojnë vizat për çdo personel ndërkombëtar të Gjykatës Penale që heton krimet e mundshme të luftës nga forcat e SHBA-ve ose aleatët, në Afganistan, tha të premten sekretari i shtetit Mike Pompeo.

Gjykata, e cila mblidhet në Hagë, u përgjigj se ishte një institucion i pavarur dhe i paanshëm, dhe se do të vazhdonte të bënte punën e saj, pavarësisht nga veprimet e Uashingtonit.

Administrata e Trump kërcënoi në shtator të ndalonte gjykatësit dhe prokurorët e ICC që të hynin në Shtetet e Bashkuara dhe të sanksiononin llogaritë bankare që kishin atje, nëse gjykata fillon një hetim të krimeve të luftës në Afganistan. Uashingtoni bëri hapin e parë të premten me njoftimin e Pompeo.

“Unë po njoftoj një politikë të kufizimeve të vizave amerikane ndaj atyre individëve që janë drejtpërdrejt përgjegjës për çdo hetim të personelit amerikan nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte”, tha Pompeo në një konferencë shtypi në Uashington.

“Këto kufizime të vizave mund të përdoren gjithashtu për të penguar përpjekjet e ICC-së për të ndjekur personelin aleatë, duke përfshirë edhe izraelitët, pa pëlqimin e aleatëve”.

“Këto kufizime vizash nuk do të jenë fundi i përpjekjeve tona”, tha ai. “Ne jemi të përgatitur të ndërmarrim hapa shtesë, duke përfshirë sanksionet ekonomike, nëse ICC nuk e ndryshon kursin e saj”. Human Rights Watch e quajti shpalljen një “përpjekje të rëndë për të penalizuar hetuesit” në gjykatë.

“Duke vepruar kundër atyre që punojnë për ICC, dërgon një mesazh të qartë edhe për torturuesit dhe vrasësit: Krimet e tyre mund të vazhdojnë të pakontrolluara”, tha drejtori i grupit të Uashingtonit, Andrea Prasow, duke u bërë thirrje ligjvënësve të SH.B.A.-së të shprehin mbështetjen për gjykatën.

Në nëntor 2017, prokurori i ICC kërkoi autorizim nga gjyqtarët për të filluar një hetim për krimet e dyshuara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit në Afganistan, që nga 1 maj 2003, duke përfshirë edhe në shtetet ku CIA mbajti të burgosurit. Gjyqtarët po shqyrtojnë të gjithë materialin e paraqitur nga prokurori dhe duhet të vendosin nëse do të autorizojnë një hetim.

Me 123 shtete anëtare, duke përfshirë të gjithë Bashkimin Evropian, ICC u krijua në vitin 2002 për të ndjekur penalisht krimet e luftës, gjenocidin apo krimet kundër njerëzimit, kur një vend nuk është në gjendje ose nuk dëshiron të ndjekë penalisht kryerësit. Fuqitë e mëdha, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Rusinë, nuk janë anëtarë.

Top Channel