Pa u mbushur 48 orë nga zbardhja e vendimit për Dritan Dajtin, Prokuroria e Apelit për Krimet e Rënda dorëzoi me urgjencë rekursin në Gjykatën e Lartë.

Duke kërkuar prishjen e këtij vendimi, në të cilin Dajtit iu zbut burgimi i përjetshem, që i zbriti në 25 vite burgim, Prokuroria këmbëgul që ai të dënohet me burgim të përjetshëm.

“Verdikti i 5 gjyqarëve që aplikuan ritin e gjykimit të shkurtuar është i pabazuar në ligj dhe në prova”, thonë prokurorët.

Dy ditë më parë, në afatet e fundit kohore, gjyqtarët zbardhën vendimin, të cilin Top Channel e bëri menjëherë publik.

Në vendim, gjyqtarët pretendojnë se aplikuan gjykimin e shkurtuar në referim të praktikës së mëparshme. Por, edhe pse pranuan gjykimin e shkurtuar, kjo gjykatë analizonte provat duke ndjekur një standard tjetër, atë të gjykimit të zakonshëm, gjë që e kthen në kontradiktore trupën gjyqësore.

Ndërkohë, 3 nga gjyqtarët që dolën në shumicë dhe hoqën burgun e përjetshëm për Dajtin, janë nën hetim nga Krimet e Rënda për dyshimet e korrupsionit.

Top Channel