Fiks Fare/ Bashkia Kurbin, tender për të blerë soba druri për shkollat në fillim të shkurtit!

16/01/2019 20:46

Temperaturat e ulëta kanë sjellë reduktimin e orëve në disa shkolla në Shqipëri. Disa bashki kanë marrë masa disa muaj më parë, duke blerë soba, dru, pelet apo rregulluar dhe linjat elektrike.

“Fiks Fare” bëri një vëzhgim në shkollat e rrethit Kurbin, ku kishte disa problematika që fillonin nga mungesa e sobave, druve, apo edhe probleme me rrjetin elektrik. Nxënësit thanë se në disa klasa ka ngrohje dhe në të tjera jo. Kjo si pasojë e kontributeve të prindërve të fëmijëve. Në ato klasa që prindërit kishin kontribuar, kishte ngrohje, qoftë me dru apo me rezistenca.

Vëzhgimi i “Fiks Fare” nisi nga shkolla 9-vjeçare “Ismail Dema” në Mamurras. Një mësues tha se kjo shkollë ka kaldajë, por nuk ndizet. Madje, nuk janë pastruar as oxhaqet. “Nuk flas se më heqin prej pune. Më heq ai i gjati” thotë ai, ndërsa tregon edhe kaldajën që nuk funksionon. Një mësues tjetër thotë se e siguroi vetë një sobë me dru. “E provova oxhakun dhe ishte i bllokuar lart. Doli tymi në katin e tretë, m’u kthye në katin e parë. E ndeza dhe e provova dhe s’punoi oxhaku. Edhe këtë rezistencë me prindërit e kam blerë” thotë ai. Një mësuese tjetër thotë se e ka modifikuar rezistencën se i mori flakë. “Klasën e kemi të ngrohtë, se e kam nga dielli. Prindërit kanë kontribuar. Janë djegur këto rezistenca, kanë prurë të reja. Kabllon e djegur e hoqa, ka pak minuta që u dogj” thotë ajo. Nga ana tjetër, nxënësit thonë se nuk ka ngrohje dhe ngrohëset me korrent i kanë blerë me lekët e prindërve.

Gazetarët e Fiksit shkuan edhe në shkollën 9-vjeçare “Besnik Sula” në Mamurras. Disa nxënës thanë se ngrohen me rezistencë. Sipas tyre, në disa klasa ka soba me dru dhe në të tjera nuk ka. Drejtoresha thotë se shkolla është e re dhe nuk ka kaldajë. “Nuk e di pse nuk e kanë planifikuar. Nga 18 klasa që kam, 10 kanë soba druri. Të tjerat me korrent. Edhe komuniteti ka investuar edhe bashkia. Dru ka pjesërisht, i sigurojmë nga komuniteti. Pas Vitit të Ri kanë ardhur edhe 4 soba të tjera” thotë ajo. Ndërkohë, një nxënës në këtë shkollë thotë për Fiksin se “mësuesi ka një rezistencë të vogël, por e mban poshtë, te këmbët”.

Pas kësaj problematike, gazetarët shkuan edhe në shkollën 9-vjeçare në Gjorm. Drejtori tha se ka disa soba druri. “Një pjesë e klasave s’kanë soba druri. Ngrohen me reflektorë” thotë drejtori, ndërsa kërkon që të mos xhirohet. Më pas, roja i shkollës i kërkon grupit të Fiks Fare që të dalin jashtë rrethimit të shkollës. Megjithatë, në fund “dorëzohet” dhe dëgjon rrëfimin e drejtorit, i cili pohon se “bashkia ka sjellë edhe ditët e fundit soba druri”. Sipas tij, disa prindër kanë sjellë ngrohëse me korrent.

Ndërkohë, në shkollën “Gjokë Elezi”, megjithëse drejtoresha tha se ka siguruar ngrohëse me korrent, sërish nxënësit ishin me xhupa në klasë. “Kaldaja s’punon, është ndezur vetëm 1 ditë para 10 vitesh. Duhet të marrin masa t’i ndezin” thotë ajo. E pyetur përse nxënësit kanë xhupa veshur gjatë mësimit, ajo thotë se tani është koha shumë e ftohtë dhe është ambient i hapur. “Ka që i kanë hequr xhupat. Po edhe ne i themi mos t’i heqin xhupat, të jenë më të rehatshëm. Kam edhe një ambient të ciklit të ulët. Aty janë 10 klasë. Sobat kanë ardhur nga bashkia para dy jave” thotë drejtoresha. Megjithatë, në këtë shkollë, një pjesë e xhamave të fasadës ishin të thyer.

Përpos kësaj problematike, Fiks Fare mësoi se Bashkia e Kurbinit ka hapur një tender vetëm në ditët e para të vitit 2019 për të blerë soba druri dhe ngrohës elektrikë. Bashkia do të blejë 150 soba me dru dhe 100 ngrohës elektrikë, ndërsa ka akorduar një shumë prej 10 milionë lekësh të vjetra. Gjithashtu, në këto ditë, Bashkia e Kurbinit do të blejë me tender edhe dru zjarri dhe pelet, teksa ka akorduar rreth 13 milionë lekë të vjetra. Pra, kur kanë kaluar 2 muaj nga dimri, bashkia kujtohet se shkollat duan soba dhe dru.

Gazetarët e Fiks Fare shkuan në këtë bashki, ku mësuan nga Pashk Laci, Sekretar i Përgjithshëm i kësaj bashkie se ka pasur probleme me sistemin elektrik në disa shkolla. “Sanxhaku ka probleme me rrjetin elektrik. Mirë do ishte me soba, por s’kemi pasur mundësi të vendosnim sobë. Drutë i kemi blerë. Probleme të vogla mund të ketë” thotë ai. Ndërkohë, për rastin e mosfunksionimit të oxhaqeve në shkollën në Fushë Mamurras, Laci thotë se “kaldajat nuk i kanë vendosur dot në punë”.

I pyetur për tenderin, ku sipas llogaritjeve të afateve rezulton se sobat dhe drutë do të merren në dispozicion nga Bashkia e Kurbinit vetëm në muajin shkurt 2019, ai thotë se “ky tender i përket buxhetit të vitit 2019”. Sipas tij, miratimi i buxhetit është bërë në datën 12 ose 13 janar.
“Furnizimi është bërë nga ato që kemi pasur. Këto do vendosen në kopshte, çerdhe dhe shkolla. Do vijnë materialet, do i magazinojmë. Dhe do shohim ku duhet t’i vendosim. Mund të mbesin në gjendje dhe t’i kemi në vazhdimësi” thotë z.Laci. Ai thotë se bashkia ka bërë një tender edhe në vitin 2018 për soba dhe dru, por nuk e mban mend datën e saktë kur është bërë. “Është bërë. S’kam dijeni të jap afatet. Nuk është se i ndjek unë, janë blerë soba dhe reflektorë, disa janë shpërndarë. Disa janë në gjendje. Disa shkolla i kemi pajisur tani” përfundon zyrtari i bashkisë.

Top Channel