Arkivimi i ankesave ndaj Ols Dados/ Veliaj ankimon në KLP vendimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kërkon fillimin e hetimit disiplinor ndaj prokurorit

19/08/2026 13:16

Erion Veliaj ka ankimuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë vendimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankesave ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado, duke kërkuar “shfuqizimin e vendimit dhe fillimin e hetimit disiplinor”.

Sipas ankimit, ILD ka zbatuar standardin e gabuar ligjor: në vend që të vlerësonte nëse ekzistonte “dyshim i arsyeshëm për fillimin e hetimit”, i ka kërkuar praktikisht Veliajt të provojë që në këtë fazë përgjegjësinë përfundimtare të prokurorit.

Në qendër të çështjes është “konflikti i interesit i Ols Dados”. Ai rezulton i lidhur si bashkëpronar/përfitues me një zhvillim ndërtimor të miratuar nga Bashkia Tiranë, ka pranuar komunikimin me Kryetarin e Bashkisë në periudhën përkatëse dhe më pas është bërë pjesë e grupit që hetoi Veliajn. Ankuesi argumenton se ILD ka shmangur analizën e konfliktit “në dukje dhe të mundshëm”, si dhe të detyrimit të prokurorit për deklarimin e interesit dhe heqjen dorë nga çështja.

Ankimi ngre gjithashtu “dyshime mbi ligjshmërinë e emërimit fillestar të Ols Dados si prokuror” dhe pretendon se ILD nuk ka administruar provat thelbësore që kishte kompetencë t’i siguronte vetë: dosjen e plotë të lejes së ndërtimit, aktet e pronësisë, deklarimet e interesave, komunikimet dhe dokumentacionin mbi emërimin dhe statusin e magjistratit.

Por ankimi ngre edhe “konfliktin e interesit të vetë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani”: në vitin 2008, si anëtar i Këshillit të Prokurorisë dhe përfaqësues i Presidentit, ai ka marrë pjesë në procedurën institucionale që lidhej me emërimin e Dados. Sipas ankimit, Metani është vendosur kështu në pozitën për të kontrolluar sot ligjshmërinë e një procedure në të cilën kishte marrë pjesë vetë.

Pas qëndrimit të KLP-së në procesin administrativ “Erion Veliaj kundër Presidentit të Republikës dhe Ols Dados”, ky është “testi i dytë institucional për KLP-në”, nëse do të ushtrojë mandatin e tij kushtetues si garant i ligjshmërisë dhe integritetit të sistemit të prokurorisë, apo do të shndërrohet në një mekanizëm që mbyll problemet e magjistratëve të selektuar.

Top Channel