Kryeministri Rama do të mbajë edhe postin e ministrit të Jashtëm, derisa të ngrihet Gjykata Kushtetuese për zgjidhur konfliktin institucional mes tij dhe presidentit Meta. Rama e zyrtarizoi vendimin me një njoftim në Twitter.

“Presidenti s’e ka zhdekretuar ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë, që vjen shumë shpejt, do të jem ‘de jure’ në këtë rol, sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit”, shkruan Rama.

Mesazhi i kryeministrit lë të kuptohet qartë se, ai do të ketë vetëm formalisht titullin e ministrit të Jashtëm, ndërsa dikasteri do të drejtohet nga i përzgjedhuri i tij, Gent Cakaj.

Ndërsa nga Partia Socialiste, burimet sqarojnë se kjo situatë do të jetë e përkohshme, derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese, ankimimi në të cilën ka nisur të përgatitet, ndonëse Meta ka deklaruar tashmë se nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që mund t’ia interpretojë kompetencat.

Tashmë në tryezën e presidentit qëndron vet emri i Edi Ramës, siç i kishte propozuar kryeministrit në takimin që zhvilluan në fillim të janarit.

“Presidenti në krye të punës. Për Presidentin, e para është Kushtetuta dhe sundimi i ligjit. Jo më shtet fals. Shqipëria e para!”, replikoi Meta.

  Meta: Jo më “fake state”, Shqipëria e para

Socialistët kanë vendosur t’i votojnë në bllok të gjithë ministrat e rinj në Parlament, ndërsa janë njoftuar për mundësinë e zhvillimit të një seance të jashtëzakonshme, para nisjes zyrtare të sesionit më 21 janar, nëse Meta do të dekretojë shpejt Ramën si ministër të Jashtëm.

Top Channel