Një koala e etur është fiksuar në një video duke pirë ujë nga shishja e një gruaje, në mesin e një vale të paprecedentë të nxehti në Australi, duke nxjerrë në pah edhe pasojat e temperaturave të larta mbi jetën e egër.

Kontinenti australian po shkrihet në kushte ekstreme të nxehti prej disa ditësh, me mërkurin në termometër që shënon të paktën 16 gradë celcius më shumë se normalja e këtij sezoni në vend.

Shumë qytete kanë thyer rekordet e dhjetorit, ndërkohë që shërbimet e emergjencave janë në alarm për zjarre të mundshme.

Chantall Louri ndodhej në një kamping në lumin Murray, në shtetin jugor të Viktorias, kur edhe pa koalën. “Ishte 44 gradë celcius, shumë, shumë nxehtë”, tha ajo.

“Unë ndalova sepse koala po më shikonte sikur donte të më kërkonte ujë”, tha gruaja.

Louri më pas kishte postuar pamjet në Facebook, ku marsupiali i etur shihej teksa pinte ujë nga shishja, para se të rikthehej sërish në pemë.

Top Channel