Bisedime maratonë në Katovicë, arrihet marrëveshja për parandalimin e ngrohjes globale

16/12/2018 10:01

Pothuajse 200 vende të botës kapërcyen ndarjet politike të shtunën në mbrëmje, për të rënë dakord mbi rregullat për zbatimin e një marrëveshjeje të rëndësishme klimatike globale, por kritikët thonë se nuk është mjaft ambicioze për të parandaluar efektet e rrezikshme të ngrohjes globale.

Pas dy javësh bisedime në qytetin polak të Katowicës, kombet në fund arritën konsensus mbi një kornizë më të detajuar për Marrëveshjen e Parisit 2015, e cila synon të kufizojë një rritje të temperaturave mesatare botërore në jo më tepër se 2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.

“Nuk është e lehtë të gjesh marrëveshje për një çështje kaq specifike dhe teknike. Përmes kësaj pakete ju keni bërë një mijë hapa të vegjël përpara së bashku. Ju mund të ndiheni krenarë”, u tha delegatëve presidenti polak i bisedimeve Michal Kurtyka.

Pas goditjes së çekiçit për të treguar se marrëveshja ishte arritur, ministrat iu bashkuan atij në skenë, duke u përqafuar dhe duke qeshur, shenja të lehtësimit pas bisedimeve maratonë.

Para fillimit të bisedimeve, shumë pritën që marrëveshja nuk do të ishte aq e fuqishme sa ishte e nevojshme. Uniteti që mbështeti bisedimet në Paris është copëtuar dhe Presidenti i SHBA, Donald Trump që synon të tërheqë vendin e tij, një nga emetuesit më të mëdhenj në botë, nga pakti.

Top Channel