Tirana zyrtare reagoi në lidhje me deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke, e cila thotë se qeveria shqiptare po i jep në mënyrë arbitrate pronat private të minoritarëve grekë për projekte turistike.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë thotë se, e drejta e pronës është e drejtë kushtetuese që gëzohet pa dallim dhe në mënyrë të barabartë nga të gjithë shtetasit, në mënyrë individuale, pavarësisht përkatësisë kombëtare.

Për më tepër, të gjithë shtetasit gëzojnë të drejtën e ankimimit efektiv në instancat gjyqësore, në rast pretendimesh për shkelje të këtyre të drejtave.

  Pronat e “minoritarëve” te Ministria e Turizmit, reagon Min. e Jashtme greke

Tirana thotë se Ministria e Jashtme greke shtrembëron faktet, pasi VKM-ja në fjalë ka si objekt evidentimin e zonave me interes për zhvillimin e turizmit, të cilat gëzojnë statusin e “pronësisë shtetërore”.

“Duke i bërë thirrje palës greke për lexim objektiv të fakteve dhe realitetit, dëshirojmë të kujtojmë se kuadri i pasur ligjor, në pajtim me praktikën europiane, sikundër tradita e shkëlqyer e bashkëjetesës shoqërore në Shqipëri përbëjnë një shembull pozitiv për t’u ndjekur në rajon”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, pas deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke, edhe kreu i “Demokracisë së Re”, Kyriakos Mitsotakis i ka çuar një letër komisionerit europian Johannes Hahn për këtë çështje.

Top Channel