Në një deklaratë të fundit zyrtare, Ministria e Jashtme greke shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, për të dhënë në mënyrë arbitrare te Ministria e Turizmit sipërfaqe toke – që përfshijnë prona private të minoritarëve grekë, – për projekte turistike.

Sipas deklaratës, ky vendim është në kundërshtim me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e gjykatave shqiptare.

“Ky vendim dhe projektligji që po përgatitet – vazhdon më tej deklarata, – çojnë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat pronësore të minoritetit autokton grek në Shqipëri. Veprime të tilla nuk janë në përputhje me aspiratat e deklaruara për integrimin europian të Shqipërisë dhe janë në kundërshtim me detyrimet e saj”.

Ministria e Jashtme greke i bën thirrje qeverisë shqiptare për të revokuar këtë vendim dhe për të rishikuar ligjin, duke u kujdesur që t’u jepen titujt e pronësisë menjëherë të gjithë pronarëve të tyre të ligjshëm.

“Athina zyrtare – përfundon pozicionimi grek, – do të vazhdojë të monitorojë zhvillimin e kësaj çështjeje”, duke përsëritur angazhimin e saj për ndërtimin e besimit dhe bashkëpunimit në marrëdhëniet me Shqipërinë fqinje.

Top Channel