Komisioni i Pavarur për Koordinimin dhe Monitorimin e zbatimit të ligjit për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë ka hartuar një raport për Kuvendin ku sugjeron rrugën që duhet ndjekur për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese, në kushtet kur mungesa e KLGJ-së dhe KLP-së nuk lejon ngritjen e KED-së.

Pikësëpari raporti vëren se jemi ende në kushtet e aplikimit të dispozitave transitore ndaj sqaron se organi i ngritur, i referuar dendur si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, është në fakt Këshilli i Përkohshëm i Emërimeve në Sistemin e Drejtësisë, i quajtur shkurt KPESD. Ky organ, shpjegon raporti, ngrihet në kushtet kur nuk është ende e mundur të ngrihet KED për shkak të mungesës së KLGJ-së dhe KLP-së. Ndonëse i përkohshëm, KPESD funksionon njësoj dhe ushtron të gjitha funksionet e si KED, përfshirë ato lidhur me verifikimin e përmbushjes së kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Me këtë arsyetim, Komisioni i Pavarur i rekomandon Kuvendit dhe përmes tij institucioneve të tjera, rihapjen e procedurës për hedhjen e shortit për anëtarët e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi për vitin kalendarik 2019, të cilët më pas do të mundësojnë plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Ekspertët e komisionit të pavarur shpjegojnë se ngritja e KED-së është e varur nga ngritja e KLGJ-së dhe KLP-së, ndërsa KPESD mund të funksionojë edhe në mungesë të tyre. Krijimi i këtij Këshilli – vëren raporti – do të bënte plotësisht të mundur vijimin me sukses të reformës në drejtësi, përsa sa kohë do t’i jepte udhë midis të tjerave përzgjedhjes së kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel