Gjykata Penale u përpoq, por pa sukses t’ia dorëzojë ish-kryeministrit Nikolla Gruevski vendimin, me të cilin ai duhet menjëherë të paraqitet në burgun e Shutkës.

Ndonëse korrieri gjyqësor ishte këmbëngulës dhe disa herë ka qenë në shtëpinë e ish-kryeministrit, nuk ka arritur qe t’ia japë dokumentin në dorë, me arsyetimin se të gjitha kërkesat për shtyrjen e shkuarjes në Shutkë i janë refuzuar.

Gjykata të premten vendosi t’i refuzojë kërkesat e Gruevskit për të mos shkuar në burg. Po atë ditë, korrieri u përpoq ta dorëzojë vendimin, por përpjekjet ishin të pasuksesshme.

Përgjigjja e gruas së tij ishte se Gruevski nuk ishte në shtëpi. Përndryshe, burgu hetues i Shutkës tashmë ka dërguar njoftim në Penalen se i dënuari Nikolla Gruevski nuk u paraqit më 8 nëntor në portën e burgut.

Nga Gjykata penale Shkupi 1 thonë se nëse brenda datës 12 nëntor nuk e gjejnë ish-kryeministrin, duke filluar nga dita e Marte mbetet mundësia e kërkimit me polici. Ministria e Punëve të Brendshme ka nënshkruar tashme flete-arrestin.

Policia, aktualisht po kërkon ish kryeministrin Nikolla Gruevski në shtëpinë e tij. Gruevski i cili duhej të paraqitej në burgun e Shutkës për të kryer dy vite burg është i dënuar për rastin “Tank”. Fotografia e ish kryeministrit Nikolla Gruevski është publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme te Maqedonisë, gjegjësisht në kategorinë e personave të pakapshëm për policinë për të cilët është lëshuar urdhër arresti.

Top Channel