Rusia reagoi shpejt pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për tërheqjen nga traktati bërthamor.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, e ka quajtur këtë hap të rrezikshëm që mund të sjellë pasoja shumë serioze. Nëse Uashingtoni e vazhdon sjelljen e tij të patakt e të vrazhdë dhe tërheqjen nga marrëveshjet ndërkombëtare, neve nuk do të na mbetet zgjidhje tjetër përveçse të marrin masa shpaguese, që përfshijnë dhe teknologjinë ushtarake, ishte paralajmërimi i numrit dy të diplomacisë ruse.

Trump u shpreh më herët se arsyeja e kësaj lëvizjeje është fakti që Moska sipas tij, e ka shkelur paktin e vitit 1987, që ndalon raketat e lëshuara nga toka me rreze të mesme veprimi nga 500 deri në 5,500 km. Shtetet e Bashkuara, deklaroi shefi i Shtëpisë së bardhë, nuk do ta lënë Rusinë të bëjë sipas dëshirës e të prodhojë armë ndërkohë që neve nuk na lejohet.

“Nuk e di përse presidenti Obama nuk negocioi për këtë çështje apo nuk u tërhoq me kohë nga marrëveshja. Nuk e kuptoj dot”.

Në 2014-ën, Obama e akuzoi Rusinë për shkeljen e traktatit pasi testoi, siç u tha atëherë, një raketa “cruise” të lëshuara nga toka. Por ish-presidenti vendosi të mos tërhiqej nga ujdia nën presionin e liderëve evropianë, të cilët druheshin se një lëvizje e tillë mund të çonte drejt rifillimit të një garë armatimesh.

Britania e Madhe ndërkohë e mbështeti lëvizjen amerikane me argumentin se Rusia është tallur me traktatin në fjalë dhe tani, duhet vënë pak rregull.

Top Channel